"Çeku kryetar i PSDK-së"

Të përditshmet kosovare

KOSOVA SOT
Ish-ndërmjetësi ndërkombëtar për statusin e Kosovës, diplomati austriak, Albert Rohan, gjatë një ligjërate të mbajtur mbrëmë në "Klubin Evropian", ka akuzuar Qeverinë e Beogradit si fajtore për të gjitha trazirat dhe problemet në Kosovë. "Beogradi po manipulon me serbët, po i financon ata, kurse qëllimi është krijimi i entitetit serb në Kosovë", ka thënë Rohan. Një gjë duhet të dihet, nuk ka kthim prapa nga pavarësia e Kosovës, tha Rohan. Ai ka shprehur keqardhje që plani i Ahtisarit nuk është miratuar në KS të OKB-së, për shkak të bllokades politike të Rusisë dhe ka shtuar se "nëse serbët vazhdojnë të kenë edhe më tej qëndrim refuzues, atëherë nuk do të ketë mundësi që pjesa më e madhe e planit të Ahtisaarit të realizohet". Beogradi po manipulon me serbët e Kosovës, thotë diplomati austriak, Albert Rohan...

ZËRI
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka shumë ide dhe projekte të ndryshme për ta fuqizuar partinë e tij, me qëllim që të mund të japin kontribut edhe më të madh përballë sfidave që ka përpara shteti i ri i Kosovës. Pas një takimi që ka pasur dje me kryetarin e Bashkimit Demokratik per Integrim, Ali Ahmetin, Haradinaj ka pohuar se partia që e drejton do të ballafaqohet me reforma, duke pasuruar programet qeverisëse dhe duke inkuadruar në gjirin e partisë ekspertë të fushave të ndryshme. "Deri tash prioritet dhe mbi prioritete ka qenë pavarësimi i Kosovës dhe tash sfidat tjera para nesh do të jenë zhvillimi ekonomik dhe integrimi i shtetit tonë në strukturat euro-atlantike. Prandaj, ne do të inkuadrojmë ekspertë të këtyre fushave, të cilët do ta ndihmojnë vendin që sa më shpejt të arrijmë synimet tona", ka thënë prijësi i AAK-së...

KOHA DITORE
Edhe pse vazhdimisht ka proklamuar se do ta formojë një subjekt të ri politik, ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, nga e enjtja pritet të bëhet pasardhës i Kaqusha Jasharit, në kryesim të Partisë Socialdemokrate të Kosovës. Burime të gazetës, të afërta me këtë parti, kanë bërë të ditur për gazetën se më 10 prill do të mbahet Këshilli i Përgjithshëm i PSDK-së dhe se gjatë të njëjtës ditë, kjo parti do t'i besohet Çekut. Zyrtarisht, si kryetarja e PSDK-së, ashtu edhe Çeku, nuk e kanë mohuar, por as pohuar këtë informatë kur janë kontaktuar nga gazeta. Ish-shefi i Qeverisë kosovare ka deklaruar se synim i tij ka qenë që ta bëjë një ose më shumë parti ekzistuese bashkë. "Tash per tash do t'ia nisim me PSDK-në, e kushedi, në rrjedhat e mëvonshme, ndoshta do të na bashkohet edhe ndonjë parti tjetër", ka thënë Agim Çeku...

NACIONAL
Përgjegjësinë institucionale duket se kanë filluar ta kuptojnë zyrtarët kosovarë. Presidenti Fatmir Sejdiu u tha studentëve të Fakultetit Juridik se pas shpalljes së pavarësisë, Kosova do të ketë probleme të reja. Sejdiu, në një ligjeratë me temën "Kosova – zhvillimet aktuale dhe perspektiva", ka thënë se qytetarët e vendit duhet ta kuptojnë se me pavarësinë tash nuk janë në parajsë, por duhet shikuar realiteti. "Tash, të gjithe duhet të punojmë për të treguar se Kosova është shtet funksional". Presidenti Sejdiu ka folur edhe për problemet e integrimit të serbëve, por ka thënë se për këtë gjë duhet kohë. Sipas tij, do të ketë përpjekje të vazhdueshme që të destabilizohet Kosova, për ta nxjerrë Kosovën si një shtet të paqëndrueshëm, por ka premtuar se kjo nuk do të lejohet...

EPOKA E RE
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, ka deklaruar se Kosova do të jetë temë e diskutimit të tij me zyrtarët më të lartë rusë, gjatë vizitës treditëshe që ai do t'i bëjë Moskës, e cila fillon sot (e mërkurë). Në një intervistë për Radion e Kombeve të Bashkuara, sekretari Mun ka thënë se ka pasur incidente të dhunës në Kosovë, ndërsa ka bërë thirrje për përmbajtje dhe maturi. "Tani situata në terren duket e qetë, mirëpo absolutisht është e domosdoshme për bashkësinë ndërkombëtare dhe për palët e interesuara që të jenë të afta ta ruajnë paqen dhe stabilitetin", ka thënë Mun. Ai në vazhdim ka shtuar se palët duhet të përmbahen nga ndërmarrja e veprimeve të njëanshme që do të mund ta përkeqësojnë situatën dhe që mund të nxisin masa të dhunshme...

INFOPRESS
Zgjedhjet nacionale dhe lokale serbe të 11 majit të këtij viti, respektivisht pretendimet serbe për t'u mbajtur edhe në Kosovë vazhdojnë të jenë objekt përfoljesh në këto ditë të paspavarësisë dhe në fushatë parazgjedhore në Serbi. Zyrtarë serbë, mbajtjen e tyre edhe në Kosovë e pretendojnë si zgjedhje që organizojnë në territorin e tyre, ndërkohë që zyrtarët e UNMIK-ut, hëpërhë, nëpër dhëmbë rikujtojnë Rezolutën 1244, sipas së cilës, vetëm ata kanë të drejtë të organizojnë zgjedhje në Kosovë, që nuk përben ndonjë risi pozicionimi karshi rovokacionesh këso përmasash. Megjithatë, në gjithë këtë terren përplasjesh e pretendimesh serbe, zëri i mekur i përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës vazhdon të tingëliojë si reaksion çasti dhe jo të qëndrimit zyrtar për çështjen në fjalë. Këta të fundit, mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë e konsiderojnë si sfiduese për rendin e ri të krijuar pas 17 shkurtit...

EXPRESS
Dyshimet që u ngritën qysh në ditën kur lideri i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, vetë i trembëdhjeti, shkeli në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, tashmë janë vërtetuar. Supozohej se ai nuk do të arrinte që ta mbante të bashkuar Grupin Parlamentar, i cili filloi të çmontohej të martën. Deputetët e AKR-së, Arsim Rexhepi dhe Driton Tali, u shkëputen përfundimisht nga kjo parti. Kaq ishte. Ata thonë se është e pamundur që të vazhdohet tutje brenda. Kjo ka revoltuar tej mase kryetarin Behgjet Pacolli, i cili në një intervistë për Express, ka lëshuar akuza të rënda në adresë të tyre. Ai, Driton Talin e ka akuzuar për paaftësi, ndërkaq Arsim Rexhepin për mashtrim...

BOTA SOT

Pas pavarësisë së plotë të Kosovës, shpalljes dhe njohjes ndërkombëtare, si dhe së fundi hartimit të Kushtetutës në bazë të parimeve më lë larta demokratike evropiane, janë hartuar elementet kyçe për përshpejtimin e shtetit më të ri për integrime euroatlantike. Mirëpo, vendi ynë do të aplikojë për anëtarësim në BE vetëm pas përfundimit të misionit të OKB-së në Kosovë. E drejta juridike me anë të Kushtetutës së parë të Republikës e përcakton Kosovën shtet të pavarur, sovran, demokratik, unik dhe të pandashëm. Në bazë të këtij parimi do të profilizohet edhe misioni civil ndërkombëtar pas periudhës së tranzicionit të UNMIK-ut. Transformimi i OKB-së nga misioni i saj udhëheqës në zyrë ndërlidhëse ndërkombëtare do t'i hapë rrugë angazhimit të misionit të BE-së, EULEX, në tërë territorin e shtetit të Kosovës, por tashmë nën rolin mbikëqyrës e jo udhëheqës...

LAJM

Teuta Sahatçiu po ballafaqohet me një varg të madh problemesh në misionin e saj, sipas disave të pamundur, për shpëtimin nga zhbërja e Partisë Reformiste ORA. Një muaj pas zgjedhjes në postin e kryetares, ku Sahatçiu e zëvendësoi themeluesin e partisë, Veton Surroin, asgjë nuk ka ndryshuar në ORA. ORA tashmë ka mbetur edhe pa zyrat e saj në Lagjen "Arbëria", në Prishtinë. Por, zyrat duket të jenë problemi me i vogël i saj. Margjinalizimi i partisë, që ia la në dorë Surroi, në skenën politike dhe demotivimi i përkrahësve të saj pas humbjes në zgjedhje do t'ia bëjnë të vështirë jetën politike Sahatçiut dhe ndjekësve të saj. Megjithatë, vetë Sahatçiu shprehet optimiste për të ardhmen e ORA-s. Për "Lajm" tha se që prej zgjedhjes në krye të kësaj partie, ajo dhe artëtarët e tjerë të Kryesisë janë përqendruar në punën me degët e partisë...