Tribunali Ndërkombëtar i Hagës ka shpallur të pafajshëm në të gjitha akuzat e ngritura ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinajn. Vendimi vjen pas më shumë se tre vjetësh që kur është shpallur aktpadia kundër zotit Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Tribunali ka liruar edhe Idriz Balajn, ndërkaq ka dënuar me gjashtë vjet burgim Lahi Brahimajn.
Tribunali Ndërkombëtar i Hagës ka hedhur poshtë të gjitha akuzat kundër ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt, i cili së bashku me Idriz Balajn dhe Lahi Brahimajn, ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë akuzuar për krime kundër njerëzimit.
Tribunali ka hedhur poshtë të gjitha akuzat për krime kundër njerëzimit kundër tre të akuzuarve.
Lahi Brahimaj është dënuar me gjashtë vjetë burgim për shkeljen e zakoneve të luftës.
Vendimi vjen pas më shumë se tre vjetësh që prej se prokuroria e Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës ka ngritur aktpadinë kundër zotit Haradinaj.
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, me t’u shpallur i pafajshëm nga Tribunali i Hagës, përmes një komunikate për media, është shprehur se pret me padurim që të kthehet te familja dhe qytetarët e Rebublikës së Kosovës.
Haradinaj ka thënë se Kosova ende ka përpara sfida të vështira.
“Populli i Kosovës meriton të jetojë në një shoqëri të lirë, ku vlerat janë të mbrojtura dhe të garantuara dhe ku shoqëria ofron mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët. Ky është vizioni për të cilin do të përkushtohem gjatë tërë jetës sime”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka kujtuar deklaratën që i kishte thënë popullit të Kosovës që t’i besonte procesit gjyqësor, në kohën kur kishte dhënë dorëheqje në mars të vitit 2005 për t’u ballafaquar me këtë aktakuzë.
“Gjykata gjatë tërë procesit e ka shikuar me kujdes evidencën që prokuroria e ka sjellë përpara, gjatë periudhës nëntë mujore, dhe ka konstatuar se akuzat e bëra ndaj meje dhe ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë qenë false”, është shprehur Haradinaj, për të shtuar se ky vendim e fuqizon Kosovën.
“Ne jemi ballafaquar me situata të vështira në rrugëtimin tonë për liri, i cili ka marrë shumë jetë. Sot, ne jemi komb i lirë dhe sovran. Tani mund të ndërtojmë një shoqëri dinamike dhe të bashkuar, e cila bazohet në sundim të ligjit dhe në respektim të të drejtave themelore për të gjithë qytetarët e Kosovës”, është shprehur Haradinaj, i cili pritet të kthehet në Kosovë, pasi që të përfundojnë procedurat e lirimit.
Gjatë ditës, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu ka shprehur besimin e tij në pafajësinë e zotit Haradinaj, duke e çmuar “procesin, rolin bashkëpunues, që e ka pasur vetë zoti Haradinaj në këtë periudhë”.
Edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, gjithashtu ka shprehur besimin e tij në “pafajësinë e plotë të zotit Haradinaj dhe të të gjithë luftëtarëve të UÇK-së”.
Ndërkaq, "Qeveria e Kosovës shpreh keqardhje për dënimin e zotit Lahi Brahimaj, por shpreson në lirimin sa më të shpejtë të tij”, thuhet ne komunikatën për media të qeverisë.
Vetë subjekti politik i Haradinajt, AAK, ka deklaruar se ka besuar gjithnjë në drejtësi. Nënkryetari Naim Maloku ka thënë se AAK-ja ka besuar gjithnjë në luftën e drejtë të UÇK-së dhe beson në lirimin e shpejtë të Lahi Brahimajt.
“Ne i kemi besuar pafajësisë sonë, të luftës së UÇK-së, ne i kemi besuar verdiktit të drejtë të Tribunalit të Hagës. Ne i besojmë drejtësisë. Ne besojmë se edhe zoti Lahi Brahimaj, në procesin që do të pasojë, do të shpallet i pafajshëm”, tha Maloku, i cili i bëri thirrje të gjithë qytetarëve, që të festojnë dinjitetshëm kthimin e Haradinajt dhe me këtë rast mos të përdorin armë zjarri.
Vendimi i Tribunalit është pritur me interesim të jashtëzakonshëm në Kosovë. Nëpër rrugët e Prishtinës, kudo janë vendosur mbishkrimet në mbështetje të zotit Haradinaj, në të cilat thuhet "Kosova të mirëpret".
Aktpadia kundër zotit Haradinaj, i cili njëherësh është edhe kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, është ngritur vetëm 100 ditë pasi që është emëruar në postin e kryeministrit të Kosovës, nga i cili post ai ka dhënë dorëheqje më 8 mars të vitit 2005, për të udhëtuar të nesërmen vullnetarisht në Hagë.
Veprimet e tij atëbotë janë vlerësuar lart nga autoritete të shumta ndërkombëtare. Ish shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara, Soren Jessen Petersen, e pat përshkruar Haradinajn si "mik dhe njeri me lidership dinamik, përkushtim dhe vizion, prania e të cilit do t'i mungojë Kosovës".
Kthimi i zotit Haradinaj në Kosovë pritet të bëhet pas përfundimit të procedurave formale në Tribunalin e Hagës.