Tribunali Ndërkombëtar i Hagës për krime lutfe sot do të shpallë aktgjykimin në procesin gjyqësor kundër ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe dy bashkëluftëtarëve të tij, Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj. Të tre janë akuzuar për pjesëmarrje në krime kundër njerëzimit, akuza këto që janë hedhur poshtë nga të akuzuarit.
Tribunali Ndërkombëtar i Hagës për krime lutfe sot do të shpallë aktgjykimin në procesin gjyqësor kundër ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Aktgjykimi vjen pas më shume se tre vjetësh, që prej se është ngritur aktpadia kundër zotit Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ish komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rajonin e Dukagjinit.
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu pret që “Tribunali të marrë vendimin e drejtë, besojmë në pafajësinë e zoti Haradinaj, dhe po ashtu çmojmë procesin, çmojmë rolin bashkëpunues, që e ka pasur vetë zoti Haradinaj në këtë periudhë”.
Kryeministri i Kosovës ndërkaq, Hashim Thaçi, ka shprehur besimin e tij në “pafajësinë e plotë të zotit Haradinaj dhe të të gjithë luftëtarëve të UÇK-së siç besojnë të gjitha institucionet dhe populli i Kosovës”.
Vendimi i sotëm i Tribunalit është duke u pritur me interesim të jashtëzakonshëm në Kosovë. Nëpër rrugët e Prishtinës, kudo janë vendosur mbishkrimet në mbështetje të zotit Haradinaj, në të cilat thuhet "Kosova të mirëpret".
Ymer Kllokoqi, beson shumë në pafajësinë e Haradinajt. “Natyrisht se pres drejtësinë dhe ajo duhet të shkojë në favor të Haradinajt, sepse ia luftoi për lirinë e Kosovës, për pavarësinë e Kosovës dhe në këtë kontekst pritet një gëzim i popullit të Kosovës. Unë jam i bindur në pafajësinë e Haradinajt”, tha Kllokoqi.
Mahide Elshani, gjithashtu është e bindur në pafajësinë e Haradinajt dhe kjo sipas saj është parë edhe nga vetë dëshmitarët e shumtë, të cilët nuk kanë ofruar prova të besueshme që do të vërtetonin fajësinë e tij.
“Pres të lirohet Ramush Haradinaj, sepse është i pafajshëm. Unë nuk jam në partinë e tij, por jemi shqiptarë, ka qenë luftë dhe ai për shkak të luftës është atje, e jo pse është i fajshëm. Kjo u pa edhe nga dëshmitarët, kurrfarë dëshmish nuk ka pasur, dëshmitarë ka pasë mjaft shumë, por jo dëshmi”, tha Mahide Elshani.
Haradinaj është akuzuar së bashku me Idriz Balajn dhe Lahi Brahimajn, gjithashtu pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për pjesëmarrje në krime kundër njerëzimit, akuza këto të cilat janë hedhur poshtë nga të akuzuarit. Në procesin gjyqësor, ekipi mbrojtës i zotit Haradinaj ka zbatuar një qasje të rrallë, duke mos sjellë asnjë dëshmitar, e bindur në pafajësinë e Haradinajt dhe në dështimin e prokurorisë për të dëshmuar akuzat e ngritura.
Aktpadia kundër zotit Haradinaj është ngritur vetëm 100 ditë pasi që është emëruar në postin e kryeministrit të Kosovës, nga i cili post ai ka dhënë dorëheqje më 8 mars të vitit 2005, për të udhëtuar të nesërmen vullnetarisht në Hagë.
Veprimet e tij atëbotë janë vlerësuar lart nga autoritete të shumta ndërkombëtare. Ish shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara, Soren Jessen Petersen, e pat përshkruar Haradinajn si "mik dhe njeri me lidership dinamik, përkushtim dhe vizion, prania e të cilit do t'i mungojë Kosovës".