Hapi i presidentit amerikan George Bush, që të autorizojë furnizimin e Kosovës me armatim, është mirëpritur nga institucionet kosovare, përderisa analistët pohojnë se kjo dëshmon se SHBA-të e shohin Kosovën si faktor stabiliteti në rajon, por edhe si promovuese e paqes në rajon.
Institucionet e Kosovës e kanë mirëpritur vendimin e presidentit amerikan George Bush që të ndihmojë furnizimin me armë të Kosovës. Presidenti Bush ka autorizuar, të mërkurën, furnizimin e Kosovës me armatim, duke thënë se në këtë mënyrë, furnizimi me artikuj mbrojtës dhe shërbime mbrojtëse për Kosovën do ta forcojë sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe do të promovojë paqen botërore.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mirëpritur këtë ndihmë dhe ka premtuar se Kosova do të kontribuojë në raportet e shkëlqyeshme që ka me Uashingtonin.
“Raportet e Prishtinës me Uashingtonin janë specifike, speciale, të shkëlqyeshme dhe natyrisht se prania e KFOR-it amerikan dhe e të gjitha trupave të NATO-s është e mirëseardhur, e respektuar dhe më e përkrahur nga qytetarët në botë”, tha Thaçi.
Në anën tjetër, analistët për çështje ushtarake thonë se vendimi për furnizimin me armatim të Kosovës, është një hap drejt sjelljes së një baraspeshimi në aspektin ushtarak të vendeve të rajonit, edhe pse aktualisht Kosova është shumë larg kësaj ekuivalence. Kosova së pari duhet të formojë Forcën e Sigurisë të Kosovës, e cila, sipas planit të Ahtisaarit, do të ketë 2500 pjesëtarë aktivë dhe 800 rezervë, të armatosur me armë të lehta.
Sidoqoftë, anëtari i Komisionit Parlamentar për Siguri, Naim Maloku, vlerëson se
vendimi i presidentit Bush do të ndihmojë shumë në ngritjen e kësaj force. Maloku thotë se vendimi amerikan rikonfirmon faktin se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mendojnë seriozisht për Kosovën, e shohin atë si faktor stabiliteti në rajon, ndërsa sigurinë e Kosovës e kanë prioritet.
“Për ne kjo është shumë dobiprurëse. Edhe për buxhetin e Kosovës, sepse pajisja e 2500 trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe 800 rezervë që janë, pra 3 mijë e 300, do t’i kushtonte shumë buxhetit të Kosovës dhe kjo është një aspekt i ndihmës ekonomike që i bëhet tash Kosovës, në fillim të ndërtimit të shtetit dhe garantimit të sigurisë së vet”, tha Maloku.
Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se hapi i presidentit Bush do t'i forcojë raportet e sigurisë së Shteteve të Bashkuara me Kosovën, do ta promovojë sigurinë dhe stabilitetin në gjithë Ballkanin dhe do ta përmirësojë kapacitetin e Kosovës për të marrë pjesë në aktivitete paqeruajtëse, do të ndihmojë në luftimin e terroristëve dhe t'i menaxhojë situatat emergjente humanitare.
Analisti politik, Ramush Tahiri, thotë se ky vendim lë të kuptohet se megjithëse Kosova është e vogël, ajo paraqet një partner strategjik të SHBA-ve.
“Kosova, megjithëse, është e vogël, konsiderohet partner strategjik i SHBA-ve dhe faktor i rëndësishëm në promovimin e paqes dhe në infrastrukturën apo arkitekturën e sigurisë ndërkombëtare. Llogaritet se Kosova do të ndihmojë në luftën kundër terrorizmit dhe do të jetë faktor paqeje në rajon”, tha Tahiri.
Analisti për çështje ushtarake, Naim Maloku, thotë se hapi i presidentit Bush do të ndihmojë Kosovën jo vetëm në fushën e sigurisë.
“Është edhe një hap i forcimit të vetë bindjes edhe në rajon dhe të gjitha shteteve tjera të botës, që kemi të bëjmë me një shtet që ka hyrë në proceset e pranimit në institucione ndërkombëtare; do të përshpejtojë pranimin e Kosovës nga shtetet tjera që hamenden dhe nuk e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran; krahas saj, do të përshpejtohen proceset e anëtarësimit të Kosovës me institucionet financiare, monetare dhe politike ndërkombëtare. Dhe, në anën tjetër do të jetë ky vendim i presidentit Bush që do t‘i hapë rrugë ardhjes së kapitalit në Kosovë”, tha Maloku.
Përgjegjës për sigurinë e përgjithshme në Kosovë aktualisht është KFOR-i. Ndërkaq, Trupat Mbrojtëse të Kosovës një pjesë e të cilëve pritet të angazhohen ne Forcave të ardhshme të Sigurisë së Kosovës tani për tani janë përgjegjës vetëm për menaxhimin e situatave emergjente, përkatësisht menaxhimin e ndonjë katastrofe natyrore.