Serbia përfundimisht shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare më 11 maj. Presidenti Boris Tadiq ka vlerësuar se këto zgjedhje do të dëshmojnë kapacitetin demokratik të shoqërisë. Megjithatë, Kosova do të jetë edhe njëherë temë kryesore e zgjedhjeve serbe.
Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, ka zyrtarizuar zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi. Ai, në një deklaratë për media, ka thënë se Serbia duhet të zgjedhë të ardhmen e saj në këto zgjedhje, ndërkohë që kështu mund të rrisë kapacitetin e saj për të mbrojtur integritetin dhe sovranitetin e saj.
“Në këto zgjedhje do të tregohet kapaciteti demokratik i shoqërisë”, ka thënë presidenti serb.
Megjithatë, nga ana tjetër, menjëherë ka reaguar kryeministri Vojisllav Koshtunica, i cili duke përshëndetur këtë veprim, i ka rikujtuar popullit se Kosova duhet mbrojtur. Ai ka rikujtuar edhe njëherë deklaratat e tij se ka humbur besimin në Partinë Demokratike të presidentit Tadiq dhe atë të ekspertëve G-17 plus.
Lufta verbale në mes të ish-partnerëve qeveritarë të kabinetit Koshtunica kanë nisur menjëherë pas rënies së qeverisë. Grupi demokrat dhe presidenti i vendit pretendojnë se Qeveria ka rënë për shkak të integrimeve evropiane.
Ndërkohë, nga ana tjetër, Koshtunica dhe grupi i tij thonë se nuk kishte politikë të përbashkët për mbrojtjen e Kosovës.
Zgjedhjet lokale dhe parlamentare pritet të mbahen më 11 maj, pas shpërbërjes së ekzekutivit lidhur me mosmarrëveshjet për projektrezolutën e radikalëve, me të cilën do të konfirmohej se Serbia do të futet në Bashkimin Evropian vetëm me Kosovën si pjesë të saj.
Partia Demokratike ka marrë ofertën e parë nga liberal-demokratët, por ata patën kërkuar një politikë të re ndaj Kosovës, duke mos injoruar realitetin e ri. Ndërsa, është spekuluar edhe për një qeveri të mundshme në mes të bllokut popullor dhe radikal.
Nënkryetari i Partisë Radikale, Tomisllav Nikoliq, në një deklaratë ka thënë se nëse është nevoja, do ti ofrojë Partisë Demokratike të Serbisë të kryeministrit Koshtunica krijimin e qeverisë së përbashkët.
“Por, kryeministri duhet të jetë nga ajo parti që fiton më së shumti vota”, ka thënë Nikoliq.
Analistët serbë dhe hulumtuesit e opinionit publik thonë se Kosova do të jetë edhe njëherë pika kryesore e zgjedhjeve të ardhme në Serbi.
Srgjan Bogosavleviq, nga organizata ‘Strategjik Marketing’, thotë se muajve të fundit Kosova ka kaluar nga vendi i katërt në temë kryesore në Serbi.
“Që nga janari e këndej, Kosova është tema më e rëndësishme për qytetarët e Serbisë. Kjo jo vetëm për faktin që politika e ka krijuar këtë temë si të rëndësishme për nevojat e tyre, por sepse edhe qytetarët janë duke u bërë nervoz për Kosovën. Nuk janë vetëm ata qytetarë nacionalistë, por edhe ata qytetarë që konsiderojnë se Kosova duhet të jetë e pavarur, mendojnë se Kosova është tema më e rëndësishme”, thotë Bogosavleviq.
Ndërkaq, Dushan Janjiq, nga Forumi për Marrëdhënie Ndëretnike, thotë se të gjithë liderët serbë janë rob të asaj që nuk duhet njohur pavarësinë.
“Të gjithë do të vazhdojnë të thonë rrëfimin e tyre. Tadiq do të thotë se duhet të futemi në Evropë për të mbrojtur Kosovën. Radikalët dhe Koshtunica do të vënë theksin në Kosovën dhe në atë se Tadiq është tradhtar. Kjo mund t’i kushtojë pak më shumë Tadiqit, nëse tenton të largohet në përgjegjësitë që ka marrë, duke i shkuar pas Koshtunicës që nga bisedimet. Është shumë e vështirë të thuhet se si do të reflektohen të gjitha këto situata, por do të jetë e pamundur të shmanget nga Kosova. Pra, do të jetë e pamundur të flitet versioni i liberal-demokratit Çedomir Jovanoviq dhe të kalohet pragu zgjedhor”, mendon Janjiq.