Cërvenkovski: Kemi krizë serioze politike

Presidenti i Maqedonisë Branko Cërvenkovski tha se vendi ndodhet në krizë serioze politike pas vendimit të kryesisë së Partisë Demokratike Shqiptare që të largohet nga qeveria.

Vendimi pritet të konfirmohet nga Kuvendi Qendror i partisë. Lideri i PDSH, Menduh Thaçi tha se koalicionit me VMRO-DPMNE-në i erdhi fundi.

Cërvenkovski tha se situata duhet të tejkalohet sa më shpejtë.

"Kemi një krizë serioze politike. Kjo ndodh në kohën më të papërshtatshme për vendin tonë, 20 ditë para samitit të Bukureshtit, ku presim të marrëm ftesë për në NATO, dhe në fazën më të ndjeshme të negociatave rreth emrit me Greqinë. Kjo situatë është e papranueshme dhe duhet ta tejkalohet. Ne duhet të fokusohemi në çështjen kryesore, në samitin e NATO-s dhe si të marrim ftesën", tha Cërvenkovski.

Shtetet e Bashkuara thanë se tash nuk është koha për luftëra të brendshme politike.

"Udhëheqësit politikë të Maqedonisë duhet t'i fokusojnë energjitë e tyre për t'u anëtarësuar në NATO në këtë kohë kritike", thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane në Shkup.

"Maqedonia ka një mundësi të artë që të marrë ftesë për në NATO, pas përpjekjeve për reforma serioze dhe të suksesshme", tha ambasada amerikane, për të shtuar se "mosmarrëveshja për emrin me Greqinë mbetet si pengesë".

I dërguari i Bashkimit Evropian në Shkup, Ervan Fuere shfaqi shpresën se "problemet aktuale do të zgjidhen, dhe qeveria do të ecë përpara në frymën e konsenzusit". Fuere shtoi se PDSH-ja duhet të mendojë dy herë për të ardhmen e Maqedonisë përpara se të largohet nga Qeveria.