Institucionet e Kosovës zotohen se do ta përmbyllin me sukses fazën e tranizicionit, duke miratuar Kushtetutën dhe ligjet që burojnë nga pakoja e Ahtisaarit. Por, ato mund të hyjnë në fuqi vetëm pas largimit të UNMIK-ut.
Miratimi i Kushtetutës dhe i ligjeve shtetërore të Kosovës, shumica prej të cilave burojnë nga pakoja e Ahtisaarit, konsiderohen si prioritetet e para të Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, gjatë fazës katër-mujore të tranzicionit.
Si Kushtetuta, ashtu edhe ligjet nga paketa Ahtisaari, nuk mund të hyjnë në fuqi pa përfundimin e tranzicionit, përkatësisht para se UNMIK-u të largohet nga Kosova.
Koordinatori i Qeverisë së Kosovës për ligjet e pakos së Ahtisaarit, Skënder Durmishi, thotë se këto ligje, krahas mbështetjes nga institucionet vendore, kanë marrë edhe pëlqimin nga prania ndërkombëtare në Kosovë, por hyrja e tyre në fuqi mbetet e lidhur me largimin e UNMIK-ut.
“Çshtja e hyrjes së tyre në fuqi është e lidhur me tranzicionin dhe një pjesë e tyre po sajohen dhe do të procedohen në Kuvend. Ideja është që gjatë periudhës së tranzicionit të miratohen të gjitha dhe krahas miratimit të Kushtetutës, edhe këto ligje të jenë të përfunduara. Ndërsa, ajo që dihet tash, është se hyrja e tyre në fuqi lidhet me kalimin e fazës së tranzicionit”, tha Durmishi.
Si ligje të domosdoshme që mundësojnë funksionimin e Republikës së Kosovës si shtet në ditët e para të saj, në këtë fazë konsiderohen 34 sosh. Prej tyre, 22 ligje rrjedhin pikërisht nga dokumenti i Ahtisaarit.
Durmishi thotë se Kuvendi do t’i miratojë ato, në mënyrë që me kalimin e fazës së tranzicionit, Kosova të funksionojë edhe me institucionet e reja.
“Kemi të bëjmë me ligjet e sigurisë, ligjin e Ministrisë së Jashtme, atë për aviacionin civil, dy ligje nga fusha e jurisprudencës, përkatësisht prokurorëve e gjykatësve të huaj në Kosovë. Pra, janë ligje me rëndësi të jashtëzakonshme, të cilat kanë kaluar nëpër të gjitha fazat e duhura, nëpër të cilat draftohen dhe ku e thonë fjalën e tyre ekspertët vendorë si dhe konsulencën e tyre ekspertët ndërkombëtarë”, thotë Durmishi.
Ndërsa të gjitha këto ligje konsiderohen si të domosdoshme dhe të një rëndësie të veçantë, disa prej tyre do të prodhojnë edhe krijimin e ministrive të reja, përkatësisht formimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ministrisë së Mbrojtjes, që fillimisht do të quhet Ministria e Forcës së Sigurisë.
Në Qeverinë e Kosovës thonë se kanë kapacitete të mjaftueshme për formimin e tyre. Ndërkaq, si çështje më e ngutshme konsiderohet formimi i Ministrisë së Jashtme, duke pasur parasysh se shumë vende e kanë njohur dhe do ta njohin Kosovën si shtet të pavarur e sovran dhe se të gjitha ato kanë kërkuar dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në nivelin e ambasadave.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se Kosova ka kapacitete për këtë ministri dhe se beson se mund të ketë edhe forma tjera të mbulimit të shpenzimeve për ambasadat e Kosovës, që do të hapen nëpër vende të ndryshme botërore.
“Ne kemi disa plane. Plani i parë që mund ta bëjmë ndryshimin në kuptimin e reciprocitetit, që të japim tokën këtu në mënyrë që ta kompensojmë me tokë ose me ndonjë apartament; forma e dytë është përmes buxhetit të Kosovës; dhe, forma e tretë, në raste të caktuara, do të kemi donacion ose nga shtetet, ose nga njerëzit që janë vullnet-mirë”, thekson Kuçi.
Faza e tranzicionit, sipas autoriteteve kosovare, ka filluar qysh më 17 shkurt, kur Kosova deklaroi pavarësinë e saj. Bazuar në pritjet e institucioneve të Kosovës, UNMIK-u besohet se do të largohet nga Kosova në qershorin e këtij viti, duke lënë pas vetes edhe kompetencat që aktualisht i ushtron shefi i administratës ndërkombëtare.
Me largimin e UNMIK-ut, Kosovës më pas do t’i hapej rruga të funksionojë si shtet mbi bazën e Kushtetutës së saj dhe pakos së Ahtisaarit dhe nën mbikëqyrjen civile e ushtarake ndërkombëtare.