Shqipëria dhe Kroacia druajnë se nëse Greqia vë veto në rastin e Maqedonisë, kjo do të mund të lë edhe Tiranën dhe Zagrebin jashtë Aleancës Veri-atlantike.
Vendet anëtare të NATO-s, në takimin e mbajtur në Bruksel, kanë shtuar presionin ndaj Greqisë për të lejuar Maqedoninë që t'i bashkohet Aleancës Veri-atlantike, në samitin e Bukureshtit, që mbahet në fillim të muajit prill.
Rreth dërgimit të ftesave për anëtarësim për Shqipërinë dhe Kroacinë nuk ka kontradikta, por Greqia është duke kundërshtuar anëtarësimin e Maqedonisë me emrin e tashëm.
Athina pohon se emri i tashëm i Maqedonisë sugjeron aspirata territoriale ndaj territorit të saj dhe rrjedhimisht ka propozuar disa emra tjerë për këtë shtet, si "Maqedonia e Epërme" ose "Maqedonia e Re", por Shkupi ka refuzuar këto emërtime.
Shqipëria dhe Kroacia druajnë se nëse Greqia vë veto në rastin e Maqedonisë, kjo do të mund të lë edhe Tiranën dhe Zagrebin jashtë Aleancës Veri-atlantike.
"Për hir të stabilitetit dhe ne duhet t'u ofrojmë anëtarësim Kroacisë, Maqedonisë dhe Shqipërisë", ka deklaruar ministri i Jashtëm gjerman, Frank – Walter Steinmeier.
Mbështetje këtij qëndrimi i kanë dhënë edhe ministrat e Jashtëm të Francës dhe Holandës, Bernard Kushner dhe Maxime Verhagen.
Sekretarja amerikane e Shtetit, Condoleezza Rice, tha se Shtetet e Bashkuara shpresojnë që një marrëveshje mund të gjendet në bisedime, në mënyrë që vendet, të cilat i plotësojnë kërkesat e NATO-s, të mund të pranohen në aleancë.
Me gjithë këto deklarime pro anëtarësimit të Maqedonisë, ministrja e Jashtme e Greqisë, Dora Bakoyanni, ka thënë se "politika e vendit fqinj nuk lejon Athinën të marrë qëndrim pozitiv, siç është për Shqipërinë dhe Kroacinë".