Bugajski: Përmes Kosovës, Rusia synon ndaljen e zgjerimit të NATO-s

Janusz Bugajski

"Rusia është më e hezituar, sepse nuk dëshiron konfrontim të hapur me NATO-n. Kjo do ta lë Beogradin në pozitë më të izoluar", thotë Janusz Bugajski, nga Instituti për Studime Strategjike /SHBA/.

RADIO EVROPA E LIRË
Zyrtari i lartë amerikan, Daniel Fried, ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk do ta heqin vëmendjen nga zhvillimet në Kosovë. Ai ka shtuar se pas pavarësimit, Kosova ka nisje të mbarë. Si e komentoni këtë prononcim?

JANUSZ BUGAJSKI
Mendoj se është një qëndrim i drejtë. Disa kanë qenë të frikësuar se mund të ketë një revoltë, ndoshta sulme nga komuniteti serb ose provokime të nxitura nga Beogradi.

Njëkohësisht, popullata e Kosovës reagoi shumë mirë, me qetësi festoi, por pa e tepruar. Udhëheqja gjithashtu dërgoi mesazhe të drejta te pakica serbe.

RADIO EVROPA E LIRË
Rusia fuqishëm është duke e mbështetur kundërshtimin e Serbisë ndaj pavarësisë së Kosovës. Zoti Fried ka ftuar Moskën që të ndihmojë në stabilitetin e rajonit. Në një prononcim të fundit, ju keni thënë se Rusia është duke shfrytëzuar lidhjet e saj në Ballkan, për të ndalur ekspanzionin demokratik në Evropë. Si e shpjegoni këtë rrethanë?

JANUSZ BUGAJSKI
Po, Rusia është duke e shfrytëzuar energjinë dhe lidhjet e ngushta me Beogradin, për të penguar zgjerimin e NATO-s. Tenton të krijojë jostabilitet në Kosovë, për të kthyer influencën e vet në rajon dhe të ndalojë zgjerimin e mëtejmë të NATO-s.

Si të vlerësohet politika ruse, është dilemë e madhe. Përgjigja më e mirë kësaj politike do të ishte uniteti amerikano – evropian dhe zgjerimi i mëtejmë institucional.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë aksionesh mund të presim nga Rusia dhe Serbia në aspektin e kundërshtimit të pavarësisë?

JANUSZ BUGAJSKI
Skenari më i keq i mundshëm do të jetë përpjekja për të copëtuar pjesën veriore të Kosovës.

Në Qeverinë e Serbisë mund të ketë elemente që do të tentojnë ta çojnë përpara këtë skenar.

Rusia është më e hezituar, sepse nuk dëshiron konfrontim të hapur me NATO-n. Kjo do ta lë Beogradin në pozitë më të izoluar.

Gjithsesi, një gjë e tillë duhet të vështrohet dhe evitohet nga forcat e NATO-s dhe EULEX-it.

RADIO EVROPA E LIRË
Keni thënë se jeni në favor të zgjerimit të NATO-s me Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë. Ç'do të thotë kjo për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës dhe të Ballkanit?

JANUSZ BUGAJSKI
Është shumë e rëndësishme. Kjo për Kosovën do të thotë se shumica e fqinjëve janë duke lëvizur drejt NATO-s, pos Serbisë dhe Bosnjës, dhe do të sinjalizonte zotimin e Shteteve të Bashkuara, se do ta sjellin gjithë rajonin në institucionet trans – atlantike.

Dhe, përfundimisht, dëshmi se edhe Kosova mund të bëjë progres drejt NATO-s në të ardhmen.

RADIO EVROPA E LIRË
T'i kthehemi sërish Kosovës. Pas deklarimit të pavarësisë dhe njohjes nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të BE-së, cili do të jetë roli i UNMIK-ut dhe EULEX-it në Kosovë?

JANUSZ BUGAJSKI

Plani është që EULEX-i ta zëvendësojë UNMIK-un. Pra, misioni i Kombeve të Bashkuara gradualisht do të tërhiqet, NATO-ja gjithsesi do të mbetet.

Krahas Konferencës së Donatorëve do të kemi edhe EULEX-in, për të monitoruar dhe shpresoj jo për të interferuar shumë në punën e qeverisë, sepse qeveria në Prishtinë përfundimisht duhet të jetë e vetëqëndrueshme dhe sovrane.