Nimic: Ende ka dallime për emrin e Maqedonisë

Ndërmjetësi ndërkombëtarë për kontestin rreth emrit të Maqedonisë, Metju Nimic, sot qëndroi në Shkup ku u takua me zyrtarët më të lartë të Maqedonisë.

Nimic tha se nuk sjell propozim të ri për emrin e Maqedonisë, por u shpreh optimist se do të arrihet zgjidhje, meqë Greqia dhe
Maqedonia kanë shprehur gatishmëri për një gjë të tillë.

Nimic tha se megjithë gatishmërinë e dy vendeve për zgjidhjen e problemit, Shkupi dhe Athina kanë dallime të mëdha.

Ndërkohë në Selanik disa mijëra njerëz kanë protestuar kundër kërkesës së Maqedonisë që të përdorë këtë emër, duke thënë se emri Maqedoni është pjesë e trashëgimisë së Greqisë.