Seanca e Kuvendit të Serbisë është ndërprerë, ndërkohë që kanë shpërthyer akuzat në mes të rivalëve politikë. Radikalët kanë paralajmëruar kërkesë për ndërrimin e kryetarit të Kuvendit, kurse demokratët fundin e Qeverisë.
Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Oliver Duliq, ka ndërprerë seancën pas aprovimit të rendit të ditës, pasi që ka kërkuar një mendim të Qeverisë lidhur me pikën e parë.
Në këtë pikë parashihej projektrezoluta e Partisë Radikale, e cila deklaronte se Serbia do të futej në Bashkimin Evropian vetëm me Kosovën si pjesë të saj, duke kërkuar njohjen e tërësisë territoriale të Serbisë.
Por, kjo ka përçarë koalicionin qeveritar dhe Parlamentin e Serbisë, pasi që ky projekt mbështetet nga Partia Demokratike e Serbisë e kryeministrit Vojisllav Koshtunica dhe Partia Socialiste që dikur i takonte Sllobodan Millosheviqit.
Një ditë më parë janë shkëmbyer deklarata të ashpra në mes të partnerëve në koalicion, pasi që Koshtunica ka kërkuar unitet, kurse presidenti Boris Tadiq ka thënë se ajo që është duke kërkuar, është e pakuptimtë. Partia demokratike ka akuzuar përkrahësit e rezolutës se po e izolojnë Serbinë dhe se qëllimi i vetëm i saj është që për integrimin të mos flitet kurrë më.
Kryetari i Grupit Parlamentar të radikalëve, Tomisllav Nikoliq, pasi që ka marrë fjalën në fillim të seancës, ka kërkuar që të hapet debati dhe të mos ndërpritet seanca.
Por, Duliq ka vendosur që t’i japë fund asaj, pasi që ka thënë se asnjë pikë e rendit të ditës nuk mund të shqyrtohet pa mendimin e Qeverisë.
Në ekzekutiv, shumicën e përbëjnë demokratët dhe Partia G-17 plus, që kundërshtojnë rezolutën.
Ndërkaq, nga ana tjetër, Nikoliq ka thënë se do të kërkojë ndërrimin e kryeparlamentarit.
“Këtë vendim e kam marrë tani, kur Oliver Duliq tha se do ta ndërpresë seancën. Çfarë mund të bëj tjetër? Nuk e di nëse Qeveria mund të takohet fare, por edhe nëse takohet, kur do të takohej. Këta që e lëshuan seancën, kanë shumicën në qeveri, por edhe ne që do të aprovonim rezolutën, kemi shumicën në Kuvend”, ka thënë Nikoliq.
Ndërkaq, Duliq ka thënë se kjo është një rezolutë anti-evropiane.
“Unë nuk mund të jem president i Parlamentit që sjell një rezolutë të tillë dhe që betohet për ndërprerje të marrëdhënieve me Bashkimin Evropian. Kjo nuk është një mënyrë as për mbrojtjen e qytetarëve në Kosovë dhe Metohi, as për disa vlera për të cilat jemi pajtuar deri tani”, ka theksuar Duliq.
Kryetarja e Grupit Parlamentar të demokratëve, Nada Kollunxhija, ka tërhequr vërejtjen se fundi i Qeverisë mund të vijë shpejt.
“Nëse ndërmerret nisma për ndërrimin e kryetarit të Kuvendit, i cili ka respektuar ligjin dhe Kushtetutën, në këtë rast ky është edhe fundi i Qeverisë”, është shprehur Kollunxhija.
Partia Demokratike e Serbisë e kryeministrit ka kërkuar një referendum për të sqaruar dëshirën e qytetarëve, nëse duan të integrohen në Bashkimin Evropian me apo pa Kosovën. Por, Partia G-17 plus ka thënë se nuk ka nevojë për fushata partiake në këtë kohë.
Kurse, nga ana tjetër, Çedomir Jovanoviq, kryetar i Partisë Liberal-demokratike, ka thënë se vendi po kalon në një katastrofë.
“Është e qartë që kryeministri nuk do të caktojë mbledhjen e Qeverisë, ku do të ishte pakicë, ashtu siç është e qartë se në Kuvend nuk do të formohet një mazhorancë e re”, ka thënë Jovanoviq.