"Pas deklaratës për pavarësinë e Kosovës dhe njohjes nga një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, në vepër shohim një trend shqetësues të komunikimit të një pjese të autoriteteve serbe", thotë ambasadori i SHBA-ve në Beograd, Cameron Munter.
RADIO EVROPA E LIRË
Si i keni përjetuar zhvillimet e fundit në Serbi dhe sulmin ndaj Ambasadës amerikane?
CAMERON MUNTER
Ditëve të fundit, pas miratimit të Deklaratës për Pavarësinë e Kosovës dhe njohjes nga një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, në vepër shohim një trend shqetësues të komunikimit të një pjese të autoriteteve serbe.
Nacionalistë të papërgjegjshëm, madje edhe nga radhët e qeverisë, në fakt kanë dërguar porosi, se për shkak të zhvillimeve në Kosovë, dhuna është përgjigje legjitime.
Por, në Kosovë dhe në raport me Kosovën nuk ka pasur kurrfarë dhune. Zgjidhja është kërkuar dhe gjetur në një proces diplomatik. Me këtë nuk pajtohen shumë në Serbi dhe kjo është e drejtë e tyre që nuk e mohon askush.
Por, më duhet të them se dhunë ka pasur kur masa ka sulmuar Ambasadën amerikane në Beograd dhe kur dikush i është kërcënuar dikujt tjetër për shembull në veri të Mitrovicës.
Kjo dhunë është absolutisht e papranueshme. Jemi shumë të shqetësuar dhe rrjedhimisht kemi ftuar Qeverinë e kryeministrit Koshtunica të dënojë gjuhën e dhunës.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara me emër e mbiemër ka ftuar ministrin Samarxhiq të ndalë retorikën ndezëse.
Ne kërkojmë që ata ta bëjnë një gjë të tillë, sepse nëse nuk ndalen, kjo shpie në izolim të drejtpërdrejtë diplomatik të tyre, që nuk e dëshiron askush.
RADIO EVROPA E LIRË
Në disa intervista të fundit u keni dërguar mesazhe të ashpra autoriteteve serbe, se nëse përsëriten sulmet ndaj ambasadës, do të zbatoni masa që deri më tash nuk janë zbatuar. A mund të saktësoni për çfarë masash bëhet fjalë?
CAMERON MUNTER
Më me dëshirë nuk do t'i përmend. Kam thënë se do të ishte më mirë që ato gjëra të mos përsëriten më. Këtë mesazh të fuqishëm ia kam dërguar qeverisë.
Për shkak të zhvillimeve të enjten e kaluar, kam humbur besimin se Qeveria e Serbisë është e gatshme për t’i përmbushur obligimet që dalin nga e drejta ndërkombëtare, pra që t’i mbrojë ambasadat e vendeve që kanë njohur Kosovën.
Derisa Qeveria e Serbisë nuk tregon gatishmëri të dënojë dhunën, derisa nuk merr masa kundër dhunës, ne nuk mund të kemi besim në të.
RADIO EVROPA E LIRË
Kryeministri Koshtunica ka deklaruar se Serbia nuk do t’i normalizojë marrëdhëniet me ato shtete që kanë njohur Kosovën, gjithnjë përderisa ato nuk tërheqin një vendim të tillë...
CAMERON MUNTER
Më vjen keq që dëgjoj diç të tillë, sepse besoj se pos atyre që prezantojnë qëndrimet e nacionalistëve kokëfortë, shumica e njerëzve në Serbi dëshirojnë të kyçen në rrjedhat dominante evropiane.
Shumica e njerëzve në këtë vend kanë votuar për Boris Tadiqin, pikërisht për faktin që besojnë se kjo është rruga për kthim në Evropë, ku meritojnë të jenë dhe ku dikur ishin në kohën e ish-Jugosllavisë, para se krimet e Millosheviqit t'i sillnin në situatën në të cilën gjenden tash.
Nëse shumica dëshiron një gjë të tillë, nuk e kuptoj se përse do të ishte në interesin e tyre që qeveria ta izolojë vendin e tyre.
RADIO EVROPA E LIRË
Ka pasur incidente në kufirin Kosovë – Serbi. Gazeta gjermane "FAZ" pohon se kemi të bëjmë me synim të Serbisë që gradualisht të formojë entitet në veri të Kosovës, sipas modelit të Republikës Serbe në Bosnjë. A e keni lexuar edhe ju kështu planin aksional të Serbisë për Kosovën?
CAMERON MUNTER
Qeveria e Serbisë nuk na ka njoftuar me përmbajtjen e planit aksional për Kosovën dhe rrjedhimisht mund vetëm të spekuloj.
Kuptimi im i Republikës Serbe, mbështetur në Marrëveshjen e Dejtonit, është diç krejt tjetër nga ajo që tash kemi në Kosovë.
Qeveria serbe e ka bërë të ditur se dëshiron të mbajë lidhje me serbët në Kosovë. Ne këtë e kemi kuptuar si rol pozitiv të Beogradit dhe këtë e parasheh edhe plani i Ahtisaarit, por jo si fillim të konfrontimit dhe dhunës.
Me planin e Ahtisaarit parashihet mbrojtje shumë e fuqishme e serbëve të Kosovës, mbrojtje e identitetit të tyre kulturor dhe religjioz.
Por, nëse kjo keqpërdoret për pozicionime politike dhe veçanërisht nëse kjo bëhet përmes frikësimit dhe dhunës, siç ishin incidentet në Mitrovicë dhe kërcënimet ndaj UNMIK-ut dhe KFOR-it nga ana e serbëve, kjo nuk do të jetë në interesin e serbëve që jetojnë në Kosovë.
RADIO EVROPA E LIRË
Por, nëse gjërat do të zhvillohen në atë drejtim, pra nëse Serbia fillon të punojë në formimin e entitetit në Kosovë, deri ku do të shkojë Perëndimi për të evituar një gjë të tillë?
CAMERON MUNTER
Bashkësia ndërkombëtare, e udhëhequr nga UNMIK-u dhe KFOR-i, do t'i kundërvihet një synimi të tillë, sepse kjo do të ishte strategjia e frikësimit dhe për faktin se ajo do të ishte në kundërshtim me synimin për të gjetur një zgjidhje të harmonishme të çështjes.
Pra, UNMIK-u do të kundërvihet.
RADIO EVROPA E LIRË
Edhe me kushtin e konfliktit të armatosur në veri të Kosovës ndërmjet KFOR-it dhe forcave serbe?
CAMERON MUNTER
Unë besoj se kjo nuk do të ndodhë, sepse orientimi ynë është politika e jo dhunës. Për këtë ftojmë zotin Samarxhiq të deklarohet se është i përcaktuar për politikën e mos-dhunës.
Nëse këtë nuk e bën, ne do të fillojmë të pyesim nëse dhuna është ajo që ata e dëshirojnë pas gjithë këtyre luftërave dhe nëse dikush, siç është zoti Samarxhiq, dëshiron provokimin e dhunës?!
Kjo do të ishte shumë e papërgjegjshme.