Berlin: Protestat dëmtojnë raportet BE-Serbi

Gjermania ka paralajmëruar se mund të dëmtohen lidhjet e Serbisë me Bashkimin Evropian nëqoftëse në Beograd nuk pushojnë protestat kundër pavarësisë së Kosovës.

"Nëqoftëse vazhdojnë trazirat si ato mbrëmë, kjo pashmangshëm do të ketë ndikim në marrëdhëniet ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Serbisë", tha zëdhënësi i qeverisë, Thomas Steg.

Ai tha se Berlini dëshiron ta përkujtojë Beogradin se policia e Serbisë ishte përgjegjëse për ruajtjen e rendit dhe ligjit në kryeqytet kur protestuesit i vunë zjarrin ambasadës amerikane.

Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Franz Josef Jung, i cili po qëndron për vizitë në rajonin e Ballkanit, ka deklaruar se do të dëshironte "që policia serbe të ndërhynte më shpejtë".