RAPORTET SHBA - BE RRETH GJYKATËS NDËRKOMBËTARE PËR KRIMET E LUFTËS

KATHLEEN KNOX

Imuniteti ndaj paqëruajtësve amerikanë nga Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve është mosmarrëveshja më e re midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
Kontesti është shkaktuar nga shqetësimet e Shteteve të Bashkuara se Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve do të mund të përdorej si instrument politik kundër amerikanëve që shërbejnë si paqëruajtës jashtë vendit.
Fillimisht, Shtetet e Bashkuara e kundërshtuan krijimin e gjykatës, por më vonë u arrit kompromisi që amerikanët të mos ndjeken të paktën gjatë një viti.
Prej atëherë, Shtetet e Bashkuara janë përpjekur që sigurinë ta fitojnë përmes marrëveshjeve bilaterale me vendet që e nënshkruan krijimin e gjykatës.
Tani, duke u thirrur në ligjin e ri amerikan kundër terrorizmit, Uashingtoni ka bërë një paralajmërim tjetër- se mosnënshkrimi i marrëveshjes do të pasonte me ndërprerjen e ndihmave ushtarake nga Shtetet e Bashkuara.
Përveç Izraelit, Rumania është shteti i vetëm që u dakordua me kërkesën e Shteteve të Bashkuara.
Por Bashkimi Evropian nuk është u tregua i lumtur, duke thënë se Rumania, si vend kandidat, duhej më parë të konsultohej me unionin.
Sekretari amerikan i shtetit Colin Powell ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk do ti detyrojnë me forcë vendet tjera që ta nënshkruajnë marrëveshjen në fjalë. “Ne vetëm diskutojmë me Bashkimin Evropian dhe miqtë tanë në botë”, ka thënë Powell, për të shtuar se nuk është në rregull që Bashkimi Evropian u kërkon vendeve kandidate të mos e nënshkruajnë marrëveshjen.
Zëdhënësi i unionit i hodhi poshtë kritikat e këtilla. Jean- Christophe Philori tha se Komisioni Evropian u ka bërë thirrje vendeve kandidate vetëm për konsultime.
Keneth Roth, drejtor i organizatës për të drejtat e njeriut Human Rights Watch, i ka quajtur “shantazhe” kërcënimet e Shteteve të Bashkuara për ndërprerjen e ndihmës ushtarake, dhe u bëri thirrje vendeve tjera të mos e nënshkruajnë marrëveshjen për imunitetin.
Gjorgji Stojçev, analist i radios “Evropa e Lirë”, thotë se përpjekjet e Uashingtonit i vënë në situatë të vështirë vendet kandidate për NATO-n dhe Bashkimin Evropian.
“Si vend që dëshiron t’i bashkangjitet NATO-s dhe Bashkimit Evropian, Bullgaria me vite përpiqet të ndjekë politikë pro-perëndimore. Por në rastin konkret me Gjykatën Ndërkombëtare, Bullgaria e ka të pamundur sepse Perëndimi është i përçarë rreth çështjes”, thotë Stojçev.
Sipas tij, Sofja do të vihej në situatë delikate madje edhe po të mos kërcënohej se do ta humbë ndihmën ushtarake amerikane, që është kryesore për t’iu bashkangjitur NATO-s.
“Qeveria bullgare do të mundohet ta shtyjë vendimin sa të jetë e mundur, me shpresën se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara më në fund do të gjejnë gjuhë të përbashkët”, tha Stojçev.
Analistja Heather Grabbe, nga Qendra për Reforma Evropiane nga Londra, thotë se problemi qëndron te mospasja e një pozite të unifikuar të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara.
“Të gjitha vendet anëtare të unionit janë në favor të gjykatës dhe ato e nënshkruan, por ato druajnë ngase nuk e dijnë deri ku mund të shkojnë me plotësimin e kërkesave të Shteteve të Bashkuara rreth Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve”, thotë Grabbe.