PARIS

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Xhorxh Bush, ka mbërritur në Paris, për të filluar vizitën e tij të parë zyrtare në këtë vend.
Zoti Bush do të takohet me presidentin e rizgjedhur francez, Zhak Shirak, për të diskutuar kryesisht mbi luftën kundër terrorizmit, gjendjen në Lindjen e Mesme dhe situatën mes Indisë e Pakistanit, vende, të cilat kanë vendosur rreth 1 milionë ushtarë përgjatë kufirit të përbashkët.
Presidenti amerikan do të vizitojë të hënën varrezat e ushtarëve të Luftës së Dytë Botërore në Normandi, ku dhe do të mbajë një fjalim për të nderuar ushtarët e vrarë amerikanë, që luftuan kundër nazizmit, për clirimin e Evropës.
Franca është vendi i tretë që presidenti amerikan po viziton gjatë turit të tij evropian.