MOORE: KOSOVA DHE BOSNJA MENAXHOHEN SI NDËRMARRJE KOLONIALE

Patrick Moore, analist i Radios Evropa e Lirë

RADIO EVROPA E LIRË
Grupi Ndërkombëtar i Krizave këto ditë ka sinjalizuar se marrëdhëniet mes UNMIK-ut dhe pushtetit vendor janë të tensionuara dhe me këtë rast ka ftuar Harri Holkerin që të ndërpresë trashëgiminë e konflikteve dhe tensioneve.

PATRICK MOORE
Protektoratet ndërkombëtare që i kemi në Kosovë dhe në Bosnje, në të kaluarën pak a shumë janë menaxhuar si ndërmarrje koloniale. Të huajt që shkojnë atje u thonë njerëzve se çfarë duhet të bëjnë dhe marrin vendimet kyçe. Ky është një element i këtij problemi të madh.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë egziston gati një vlerësim unanim se në Kosovë bashkësia ndërkombëtare ( UNMIK-u dhe KFOR-i) janë pritur mirë nga kosovarët. Për çfarë flet ky disponim?

PATRICK MOORE
Është e vërtetë se UNMIK-u dhe KFOR-i janë mirëpritur nga populli i Kosovës, sepse ata kanë kujtime të freskëta se çfarë kishte ndodhur më herët. Dhe faza e tanishme shihet si fillim i një të ardhmeje të re, një të ardhmeje në të cilën nuk do të ketë më vend për diktatorët nga Beogradi, për asnjë Rankoviç ose Millosheviç ose të ngjashëm. Ne megjithatë e kemi një problem që ka të bëjë me, siç thashë, strukturën koloniale. Pastaj krahas kësaj strukture koloniale, të huajt nuk janë fokusuar në çështje përkatëse, sepse çështja statusore nuk është lejuar të diskutohet. Edhe një gjë tjetër që unë e konsideroj shumë të rëndësishme- ata nuk u dhanë sa duhet zyrtarëve vendorë kompetenca dhe shpesh i kanë trajtuar si fëmijë. Tensionet gjithashtu janë pasojë e faktit se shumë politikanë vendorë në sytë e komunitetit ndërkombëtar, më me dëshirë "luajnë politikë" sesa bashkëpunojnë për të mirën e përgjithshme. Por, sidoqoftë them se në Kosovë kemi një atmosferë pozitive dhe kjo mund të forcohet akoma nëse njerëzit do të mësohen të bashkëpunojnë për qëllimet e përbashkëta.

RADIO EVROPA E LIRË
Grupi Ndërkombëtar i Krizave gjithashtu ka konstatuar se shkaqet kryesore të zhvillimeve të padëshirueshme në Kosovë janë " gjendja e mjerë ekonomike dhe fakti që bashkësia ndërkombëtare po zvarrit zgjidhjen e çështjes së statusit". Si e shihni ju këtë kompleks të çështjeve?

PATRICK MOORE
Pikërisht çështjes së statusit iu referova pak më parë, sepse vërtetë nuk është në fokus. Pa këtë fokusim, pra pa qartësim të çështjes së statusit, askush nuk e di se çfarë do të ketë pas 6 muajsh, një ose dy vitesh. Rrjedhimisht është krejt e qartë se pa qartësimin e statusit nuk do të ketë interesim të vendorëve që të sjellin fitimet nga jashtë në Kosovë, për njerëzit që të kthehen në Kosovë dhe të sjellin kursimet e veta dhe as interesim të kompanive të huaja që të investojnë atje. Me këtë rast dëshiroj të ngre një çështje thelbësore filozofike- zhvillimi ekonomik është çelës i progresit politik. Njerëzit e papunësuar fare lehtë manipulohen nga elementet problematike. Dihet për shembull se kriza e madhe ekonomike në Evropë në fund të viteve 20 dhe në fillim të viteve 30, i kontribuoi ngritjes së fashizmit në Evropën perëndimore dhe Lindore, dhe gjithashtu i kishte kontribuar popullaritetit të partive komuniste. Nga përvoja ime personale si analist i Radios Evropa e Lirë në Amerikën Qëndrore në vitin 1984, kam hetuar se avantazhi më i madh që komunistët kishin për të krijuar trazira, ishte fakti që ekonomitë e Amerikës Qëndrore stagnonin dhe rrjedhimisht kishte mijëra njerëz të papunë. Të përkujtojmë edhe rastin e ish-Jugosllavisë - ne e dimë fazën e ngritjes së Millosheviçit në pushtet në gjysmën e dytë të viteve 80'. Duhet gjithashtu të përkujtojmë se në gjysmën e dytë të viteve 70' dhe deri në vitet 80' atje kishte rënie ekonomike. Pas një dekade të rënies ekonomike nuk është e habitshme ardhja në pushtet e njerëzve siç është Millosheviçi. Rrjedhimisht konkludoj se çështja ekonomike dhe deri në vitet 80' atje kishte rënie ekonomike. Pas një dekade të rënies ekonomike nuk është e habitshme ardhja në pushtet e njerëzve siç është Millosheviçi. Rrjedhimisht konkludoj se çështja ekonomike është qëndrore dhe për zgjidhjen e problemeve ekonomike, ju duhet të zgjidhni çështjen e statusit.

Intervistoi Melazim Koci