FARUK SPAHIA: SHEFI I RI I UNMIK-ut TË NDRYSHOJË QASJEN NDAJ MITROVICËS

Zijadin Gashi, Prishtinë

Kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi, i ka përgënjeshtruar sot disa njoftime në mediat serbe si dhe në ato kosovare, ku thuhet se ai gjatë qëndrimit në Durrës në një takim miqësor të sapopërfunduar ballkanik, ka takuar ndaras përfaqësuesin e Unionit Serbi- Mali i Zi, Vladimir Bozhoviq, i cili njëherit është dhe zyrtar i të ashtuquajturës Qendër Koordinuese për Kosovën. "Takimin e vetëm zyrtar që e kam zhvilluar me ndonjë udhëheqës të vendeve të rajonit gjatë qëndrimit në Durrës ishte ai me kryetarin maqedonas Boris Trajkovski, por nuk kam takuar ndaras Bozhoviqin", tha sot Rexhepi, pas një takimi që zhvilloi me shefin e zyrës gjermane në Prishtinë, Peter Rondorf. Rexhepi e Rondorf kanë diskutuar për çështjen e përmbushjes së standardeve, të cilat bashkësia ndërkombëtare ia ka vënë Kosovës si një kusht para se të mund të definohet statusi i saj. Kryeministri i Kosovës tha se Qeveria e tij mbetet e përkushtuar në përmbushjen e standardeve, sepse përmes tyre hapet rruga drejt zgjidhjes së statusit. Ndërsa i pyetur nga gazetarët se përmbushja e standardeve a do të jetë kusht që statusi të definohet në harmoni me vullnetin e popullit të Kosovës, Rexhepi u përgjigj: “Vullneti i popullit sigurisht që nuk mund të anashkalohet. Ai është një ndër principet bazike, por se si do të vjen deri te definimi, ka alternativa të ndryshme të cilat do të elaborohen. Ne bashkarisht do të punojmë në mënyrë aktive t’i realizojmë, sepse ato janë në të mirën tonë. Në kohën kur bashkarisht vijmë deri te faza se janë pjekur kushtet, do të fillojë dhe çështja e definimit të statusit. Pra, ne jemi të interesuar t’i realizojmë, t’i implementojmë këto standarde”, tha kryeministri Rexhepi, i cili gjatë ditës priti sot dhe kryetarin e Komunës së Mitrovicës zotin Faruk Spahia. Z. Spahia tha se është diskutuar rreth disa hapave që duhet ndërmarrë në Mitrovicë, pasi që gjendjen e atjeshme ai e paraqitit si shumë të rëndë. Për integrimin e qytetit të ndarë të Mitrovicës, sipas zotit Spahia, duhet një qasje e re politike e administrative, prandaj ai kishte ardhur në Prishtinë që t’i takojë udhëheqësit vendorë, Ibrahim Rugovën, Nexhat Dacin e Bajram Rexhepin, për të marrë përkrahjen institucionale për ndryshimet e domosdoshme që duhen bërë në Mitrovicë. “Kosovarët kanë shumë argumente që kryeadministratorin e ri ta vënë para një përgjegjësie më të madhe lidhur me këto probleme që ka Mitrovica. Kam pasur përshtypjen gjithmonë që raportet që vijnë nga administrata e UNMIK-ut, qoftë rajonale, qoftë komunale në Mitrovicë, kanë qenë të shtrembëruara, shpesh edhe të hijeshuara dhe nuk kanë pasqyruar si duhet problemet që i ka Mitrovica. Besoj që edhe profesor Daci dhe kryeministri Rexhepi do të bashkohen në këto përpjekje për ta ndryshuar politikën e UNMIK-ut në Mitrovicë, për të treguar një vendosmëri më të madhe në implementimin e ligjit paraprakisht”, ka thënë Spahia.
Lidhur me këto pakënaqësi të strukturave rajonale me gjendjen në Mitrovicë si dhe me punën e administratës së UNMIK-ut atje, për integrimin e qytetit si dhe kthimin e të zhvendosurve në të dyja anët e qytetit, zoti Spahia tha se do të kërkojë një takim të posaqëm dhe me shefin e ri të UNMIK-ut Harri Holkerin, nga i cili do të kërkohet të bëjë më shumë në përmbushjen e këtyre kërkesave.