RAPORTI I CSIS-IT NDËRLIDH STABILITETIN E BALLKANIT ME STABILITETIN E KOSOVËS

Washington Times

Duke cituar një raport të hartuar nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare me seli në Washington, me autorë Paul Williams, Janusz Bugajski dhe Bruce Hitchner, Washington Times pohon se pavarësia e Kosovës paraqet perspektivën e vetme për stabilitet afatgjatë në Ballkan.
Vazhdimësia e ambivalencës rreth statusit të Kosovës, jo vetëm që shton tensionet në rajon, por gjithashtu i kontribuon stagnimit politik dhe ekonomik në Ballkan, citon Uashington Times raportin në fjalë.
James Dobbins, ish-këshilltar i presidentit Klinton thotë se në vitin 1999 ekzistonte frika se një Kosovë e pavarur do të shtonte gjasat e mbetjes në pushtet të Sllobodan Millosheviçit.
" Mbase Kosova e pavarur në atë kohë do të shkaktonte luftë civile në Maqedoni dhe do të destabilizonte rajonin", citon Washington Times zotin Dobbins, i cili shton se këto probleme tani nuk ekzistojnë.
" Gjithnjë kam besuar se epilogu i vetëm që do të kënaqte shumicën e popullatës së Kosovës është një formë e pavarësisë," pohon James Dobbins.
Ndërkohë, një ndër autorët e raportit, Paul Williams pohon se procesi i pavarësimit të Kosovës duhet të jetë gradual, sepse në të kundërtën mund të mos funksionojë dhe të shkaktojë ngritje të rivaliteteve etnike. Ai shton se qeveria në Prishtinë duhet të dëshmojë progres, veçanërisht në planin e të drejtave të pakicave dhe të drejtave të njeriut para pavarësimit të plotë të Kosovës.
Charles Kupchan, drejtor i Studimeve Evropiane në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë, thotë se pajtohet me qëndrimin se Ballkani do të jetë më mirë nëse Kosova shkëputet nga Serbia.
Ndërkaq Tom Carothers, nga fondacioni Carnegie thotë se në këtë proces duhet të jenë të përfshira Shtetet e Bashkuara, por duhet të prijnë evropianët. Por Washington Times citon në vazhdim Paul Williamsin, i cili nuk pajtohet me këtë qëndrim dhe pohon se periudha 1992-2000 ka dëshmuar se Evropa nuk është e aftë të merret me çështje të tilla.
Rekomandimet e këtij raporti që konsistojnë në kërkesën për pavarësinë e Kosovës kanë edhe kritikët e tyre që thonë se tani nuk është koha për një gjë të tillë dhe se pasojat do të mund të ishin të rrezikshme, pohon Washington Times.