MOORE:"REPRIZA EVENTUALE E MARSIT - DHURATË PËR ARMIQËT E KOSOVËS"

Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë


RADIO EVROPA E LIRË
Analiza juaj e fundit mbi Kosovën ka titullin:"Kosova- një zjarr i ardhshëm". Pse e keni zgjedhur pikërisht këtë titull?

PATRICK MOORE
Ky është titulli i një libri të shkruar nga një shkrimtar afroamerikan Xhejms Bolduin rreth 50 vjet më parë. Libri ishte pjesërisht autobiografi, pjesërisht një testament politik. Teza e tij ishte që nuk është e mundur të vazhdohet padrejtësia pafundësisht dhe herët a vonë padrejtësia do të prodhojë një përgjigje shumë të ashpër e ndoshta të dhunshme. E zgjodha këtë titull për të rizgjuar idenë se çështja e drejtësisë dhe vetëvendosjes mbi bazën e sundimit të shumicës, nuk mund të bllokohet përgjithmonë, pa rrezikuar përsëritjen e ngjarjeve të marsit ose diç edhe më të keqe.

RADIO EVROPA E LIRË
Një numër politikanësh dhe analistësh thonë se viti 2005 mund të jetë shumë i rëndësishëm për Kosovën sa i përket statusit të saj përfundimtar. Jeni dakort me këtë mendim?

PATRICK MOORE
Çdokush është drejtuar drejt pritjes se kjo do të ndodhë vitin e ardhshëm. Për këtë çështje u fol rreth një vit më parë kur zoti Grossman vizitoi Prishtinën. Megjithatë javët e fundit duket se Kofi Anani ka hedhur disa dyshime rreth kësaj çështjeje. Por, dy prej të ngarkuarve të tij, diplomati norvegjez Kai Eide dhe kryeadministratori Jessen Petersen, kanë hedhur bazat për të patur shpresën që do të ketë një shqyrtim të kësaj çështjeje në mesin e vitit 2005. Mendoj se do të ketë shumë njerëz të zhgënjyer në Kosovë nëse bisedimet për zgjidhjen e statusit përfundimtar nuk fillojnë. Kur bëhet fjalë për proceset historike, përpjekjet për çlirimin kombëtar dhe shpërbërjen e ish-Jugosllavisë, pra për dy procese historike, këto nuk mund të ndalen apo zbrapsen pafundësisht për interesat e përmbushjes së standardeve, që nuk janë domosdoshmërisht realiste.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka njerëz sidomos në Bashkimin Evropian që paralajmërojnë të ashtuquajturin "efektin domino" me pasoja katastrofale nëse Kosova dhe Mali i Zi bëhen të pavarura...?

PATRICK MOORE
Ky është një fiksim, një obsesion. E dëgjoj këtë nga Brukseli pothuajse në formën e një paragrafi religjoz. Më kujtohet që para disa vitesh disa prej këtyre njerëzve më kërkuan të shkruaja një studim për të ardhmen politike të Malit të Zi. Pasi që pranova këtë detyrë të njejtët më thanë - zoti Moore shkruani çfarë të doni, por vetëm një gjë nuk bën ta merrni në shqyrtim – pavarësinë e Malit të Zi. Kjo më ka mbetur në kujtesë si ilustrimi i realitetit të disa njerëzve në Bashkimin Evropian dhe gjërësisë në të cilën ata kanë shtrirë dogmat e tyre, të cilat nuk lejojnë që t'i sfidojë asgjë. Le të përkujtojmë se kush përveç Brukselit flet në këtë mënyrë - zoti Koshtunica flet në këtë mënyrë, sepse do të donte shumë që të mbante jo vetëm Kosovën, por edhe Malin e Zi, përmes të cilit Serbia do të kishte dalje në det.

RADIO EVROPA E LIRË
Politika "Standardet para statusit" ende është në fuqi. Udhëheqja kosovare deklaron të jetë i vendosur për të përmbushur standardet. Si e shihni ju çështjen e standardeve?

PATRICK MOORE
Duke qenë se nuk jam në Prishtinë, nuk jam në pozitë të komentoj nëse standardet e veçanta po përmbushen apo jo për momentin. Ajo që di është se disa nga standardet nuk janë domosdoshmërisht realiste dhe që ndoshta disa vende, të cilat janë tani anëtare të Bashkimit Evropian apo të NATO-s, nuk i përmbushin për vete këto kritere. Di që përmbushja e këtyre standardeve nuk ishte domosdoshmërisht e kërkueshme për njohjen diplomatike të Sllovenisë, Kroacisë, Serbisë dhe Malit të Zi apo edhe Maqedonisë. Për fat të keq kosovarëve po u kërkohet një nivel më i ashpër i përmbushjes së standardeve. Megjithate, është shumë e rëndësishme për kosovarët që të tregojnë një vullnet të mirë dhe përpjekje për përmbushjen e standardeve, sepse nëse nuk do veprojnë kështu, nuk do mund të përmirësonin imazhin e tyre tek njerëzit të cilët kanë fuqinë të marrin vendime për të ardhmen e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili është mesazhi juaj për kosovarët këtë fundviti?

PATRICK MOORE
Është e rëndësishme të tregohet vullnet i mirë dhe përpjekje për përmbushjen e standardeve, sidomos në planin e trajtimit të pakicave, sidomos të etnisë serbe dhe të institucioneve kulturore serbe. Shumë njerëz jashtë do të formojnë qasjen e tyre ndaj Kosovës nga mënyra se si do t'i trajtojnë kosovarët pakicat kombëtare. Gjëja e dytë që do doja të vija në dukje dhe që besoj se e dinë të gjithë është se kosovarët kanë armiq që duan t'i shohin të dështojnë dhe këta armiq nuk janë ekskluzivisht dhe vetëm në Beograd. Kosovarët nuk duhet t'u japin këtyre armiqve asnjë avantazh propagandistik duke u përfshirë në dhunë apo duke u dhënë pakicave arsye që të ankohen. I kuptoj disa nga arsyet që qëndrojnë prapa dhunës së marsit. Kuptoj gjithashtu se nëse ndodh sërish ndonjë gjë si kjo, do të jetë një fitore propagandistike e rangut të parë për njerëzit që nuk duan të shohin një Kosovë të pavarur. Kosova ka po aq të drejtë sa ish republikat jugosllave në bazë të kushtetutës së vitit 1974, që të shkojë në rrugën e saj. Dhe mendoj se do të ishte më e fortë ekonomikisht se disa prej vendeve që kanë karrigen e tyre në Kombet e Bashkuara. Lëvizja e saj çlirimtare është padyshim po aq legjitime, sa çdonjëra që çoi disa prej këtyre vendeve drejt pavarësisë që në vitet e '50-ta dhe të '60-ta dhe drejt fitimit të karriges në Kombet e Bashkuara. Gjithsesi në mënyrë të drejtë ose të padrejtë janë disa standarde që priten nga kosovarët. Varet nga Kosovarët të tregojnë se pavarësia e tyre është fituar dhe e merituar duke u sjellë në mënyrë të përgjegjshme, duke bërë një jetë politike serioze dhe dinjitoze, në bazë të shtetit ligjor dhe respektimit të pakicave etnike.

Intervistoi: Melazim KOCI