BRUKSEL

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Javier Solana kumtoi sot se i mbështet sanksionet që u ndërmorën kundër policisë serbe të Bosnjës dhe zyrtarëve për dyshime se u kanë dhënë ndihmë të akuzuarve për krime lufte që ti shmangen drejtësisë. Në këtë kumtesë mëtutje thuhet se vendimi i djeshëm i përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian për Bosnjë Hercegovinë, Paddy Ashdown, është një hap i rëndësishëm kah largimi i elementeve që pengojnë bashkëpunimin me Tribunalin e Hagës. Zoti Ashdown dje nga postet largoi gjashtë policë serbë dhe tre zyrtarë, që dyshohet se kanë ndihmuar të akuzuarit për krime të luftës që ti shmangen Tribunalit të Hagës.