HAPET DEGA E GJYKATËS SË PRISHTINËS NË GRAÇANICË

Rrahman Paçarizi, Graçanicë

Hapja e degës së gjykatës komunale të Prishtinës në enklavën sebre të Graçanicës, është vlerësuar si mundësi më shumë për serbët që të shfrytëzojnë sistemin gjyqësor, por njëkohësisht një arsye me pak për të shfytëzuar shërbimet që ofrojnë aktualisht sistemet paralele të gjyqësisë serbe, kanë vlerësuar zyrtarë të drejtësisë të UNMIK-ut si dhe zyrtarë serbë të kësaj gjykate, që është hapur pikërisht në ditën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut:
"Qytetarët serbë mezi kanë pritur të kenë një gjykatë e cila do të jetë më e përshtatshme dhe më e shfrytëzueshme, prandaj ata mezi kanë pritur ta shfrytëzojnë këtë gjykatë," tha Tomas Monaghan, shef i departamentit të drejtësisë i UNMIK-ut, i cili ka inauguruar zyrtarisht këtë gjykatë që kryesohet nga gjyqtari Nuhi Ukaj, në të cilën priten të punojnë së paku tre gjykatës serbë.
Vetë qytetarët thanë se në kushtet e mungesë së lirisë së plotë të lëvizjes, kjo gjykatë është një gjë e mirë:
"Ndoshta është më mirë që është hapur kjo gjykatë pasi ne sado-kudo nuk guxojmë dhe nuk mund të shkojmë në Prishtinë dhe këtu do të mund t’i realizojmë disa të drejta," tha Radosav Kostiç banor i Graçanicës. Kostiç i kujton me nostalgji ditët, kur teksa punonte si shofer kamioni, mund të flinte kudo që e zinte nata në Kosovë. Madje, më 1958 një shqiptar ma ka shpëtuar jetën teksa po mbytesha në Ibër, tha Kostiç:
"Më mungon shoqëria dhe jeta me miqtë e mi shqiptarë me të cilët kam jetuar dhe punuar," tha Kostiç, duke shprehur habinë që gjërat tani janë ndryshe.
Banorët serbë të kësaj enklave serbe, që nuk është më shumë tre kilometra larg Prishtinës, thonë se jeta e tyre është e vështirë:
"Të them sinqerisht është shumë vështirë të jetohet kështu në geto. Ende nuk ka ndonjë liri të lëvizjes dhe të punës," tha Moma Tabakoviç.
Mirëpo, zoti Monaghan tha se nuk mund të flitet në përgjithësi për mungesë të lirisë së lëvizjes:
"Mendoj se është e sigurt për njerëzit që të lëvizin nëpër Kosovë, mirëpo mund të jetë një botëkuptim te disa njerëzit që mund të mos ndihen të lirshëm për të lëvizur," tha zyrtari Monaghan.
Zhivorad Nedeljkoviç, 50 vjeçar tha se ka frikë të shkojë në Prishtinë:
"Unë jam 50 vjeçar dhe që nga lufta në vitin 1999, unë ende nuk kam qenë në Prishtinë dhe për këtë më vjen shumë keq," tha Zhivorad Nedeljkoviç.
Zëvendësi i ombudspersonit të Kosovës, Novicki, zoti Lubinko Todoroviç, tha se në nivelin e marrëdhënieve ndërmjet vetë popullatës, nuk mund të flitet për shkelje të të drejtave të njeriut, por kjo shkelje ndodh në strukturat e pushtetit:
"Ata që e kanë pushtetin janë pikërisht ata që i shkelin të drejtat e njeriut dhe ata janë fajtorë që të gjitha bashkësitë nuk mund të bëjnë jetën e tyre si duhet dhe që të drejtat e njeriut të jenë në nivelin e duhur," tha Todoroviç.
Sidoqoftë, gjyqtari serb i gjykatës së sapohapur në Graçanicë, Boshko Arsenijeviç, tha se esenca e hapjes së kësaj gjykate është që edhe bashkësia serbe të jetë sa më afër drejtësisë dhe organeve të gjyqësisë:
"Gjyqet paralele aktualisht nuk kanë kompetenca në Kosovë, prandaj qytetarët e dinë se të drejtat e tyre nuk mund t’i realizojnë në ato gjyqe, prandaj ata jo vetëm që e pranojnë këtë gjykatë, por edhe e kanë kërkuar," tha Arsenijeviç.
Shefi i departamentit të drejtësisë i UNMIK-ut, Tomas Monaghan tha se nuk mund ta konsideronte hapjen e kësaj gjykate zgjidhje për eliminimin e strukturave paralele:
"Nuk është e thënë që një ngjarje e vetme të zgjidhë problemin e strukturave paralele, mirëpo kjo është një mundësi për serbët që të përfitojnë nga sistemi gjyqësor dhe një arsye më pak për të shfrytëzuar sistemet paralele," tha Monaghan, duke vlerësuar se Kosova duhet të jetë shoqëri multietnike dhe e tillë mund të jetë vetëm mbi konturat e shoqërisë ku mbizotëron sundimi i ligjit.