BËHET PUBLIKE NDARJA E POSTEVE MINISTRORE

Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Partnerët e koalicionit të ri qeveritar, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kanë bërë të ditur sot ndarjen e ministrive, ndërkohë që udhëheqësit e këtyre ministrive nuk janë bërë të ditur as sot, edhe pse qe premtuar se lista me përbërjen komplete të qeverisë dhe pakoja e marrëveshjes së koalicionit do t’i dorëzohej sot kryeadministratorit të Kosovës, Soren Jessen Petersen.
Lulzim Zeneli, zëdhënës i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe negociator i Lidhjes Demokratike në bisedat për modalitetet e qeverisë së re, tha për Evropën e Lirë se tashmë është bërë ndarja e ministrive sipas partive:
"Ajo që tani dihet është se LDK do të udhëheqë gjashtë ministri, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës katër, ndërsa tre ministri do t’i udhëheqin minoritetet. Ndërsa tani është bërë edhe ndarja sa u përket resorteve".
Sipas zotit Zeneli, nuk ka pasur shumë ndryshime në ndarjen e posteve ministrore ndërmjet partive përbërëse të koalicionit të ri qeveritar, ku bëjnë pjesë Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Partia Shqiptare Demokristiane dhe partitë e pakicave joserbe:
"LDK do t’i udhëheqë katër ministri që i ka udhëhequr edhe në mandatin e kaluar, ndërsa dy ministritë e reja do të jenë Ministria e Shërbimeve Publike dhe ajo e Pushtetit Lokal".
Ndërkohë që zyrtarët e AAK-së sot nuk janë prononcuar për këtë çështje, tashmë dihet se Aleanca do të vazhdojë të udhëheqë Ministrinë për Punë dhe Mirëqenie Sociale dhe Ministrinë për Ambjent dhe Planifikim Hapësinor që i ka pasur edhe në mandatin e shkuar dhe dy ministri të reja, Ministrinë për Tregti dhe Industri, si dhe Ministrinë e re të Energjetikës.
Ministria e Shëndetësisë sipas zyrtarëve të koalicionit, do t’u takojë pakicave joserbe, ndërsa përfaqësuesit serbë do të udhëheqin Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, që e kanë pasur edhe në mandatin e shkuar, si dhe Ministrinë e sapoformuuar për Kthim dhe Komunitete. Mirëpo, serbët ende nuk kanë vendosur nëse do të pranojnë të jenë pjesë e qeverisë dhe institucioneve të Kosovës. Dragisha Kërstoviç, përfaqësues i "Listës serbe për Kosovën dhe Metohinë" tha se pas rezultateve të dobëta zgjedhore, vërtet ishte vështirë për serbët të merrej vendimi për pjesëmarrje në institucionet e Kosovës:
"Tani, pasi dihet koalicioni ndërmjet LDK-së dhe AAK-së, është edhe më vështirë për serbët që të hyjnë në qeveri," tha Dragisha Kërstoviç, sipas të cilit ky subjekt që ka tetë vende në Kuvendin e Kosovës do të takohet nesër për të shqyrtuar mundësitë e pjesëmarrjes në qeveri.
Në anën tjetër zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lulzim Zeneli tha se përbërja e plotë e qeverisë, përfshirë edhe emrat e ministrave dhe zëvendëskryeministrit e zëvendëskryetarit të Kuvendit, do të bëhen të ditur gjatë ditës së nesërme, përderisa tashmë dihet se kryetar i Kosovës do të vazhdojë të jetë Ibrahim Rugova, kryeministër do të jetë Ramush Haradinaj, ndërsa kryetar i Kuvendit, sërisht Nexhat Daci.