TEHERAN

Irani tha se sot i ka pezulluar aktivitetet e ndjeshme bërthamore, përfshirë pasurimin e uraniumit, që t'i heqë shqetësimet ndërkombëtare për qëllimet e programit të vet bërthamor.
Zëdhënësi i qeverisë Abdollah Ramazanzadeh tha se hapi u ndërmor në bazë të afatit të marrëveshjes së Iranit me Gjermaninë, Francën dhe Britaninë.
Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore Mohamed ElBaradei, e konfirmoi pezullimin, dhe shfaqi shpresën se deri të martën do të ndërpriten të gjitha punimet.
Shtetet e Bashkuara e akuzojnë Iranin për zhvillimin e fshehtë të armëve bërthamore, dhe nga agjencia kërkojnë çështja ta dalë në Këshillin e Sigurimit. Teherani i ka mohuar akuzat duke thënë se programi bërthamor ka për qëllim prodhimin e energjisë.