UASHINGTON

Presidenti amerikan George Bush ka emëruar sot Kondoliza Rajsin sekretare të shtetit në vend të Kolin Pauellit.
"Kam kënaqësinë të kumtoj nominimin e Kondoliza Rajsit, sekretare amerikane e shtetit. KOndoliza Rajs tashmë ëshët e njohur për të gjithë amerikanet dhe pjesën më të madhe të botës", ka thënë presidenti Bush.
Ndërkaq, duke iu drejtuar presidentit Bush, Kondoliza Rajs me këtë rast ka thënë:
"Ishte nder dhe privilegj të punosh për ju në katër vitet e kaluara të krizave dhe vendimeve. Nën udhëheqjen tuaj, Amerika është duke zhvilluar dhe fituar luftën kundër terrorizimit," ka thënë Kondoliza Rajs.
Postin e sekretarit amerikan të shtetit do të vazhdojë ta ushtrojë Kolin Pauell deri në konfirmimin e emërimit të Kondoliza Rajsit sekretare e shtetit nga ana e Senatit.
Kondoliza Rajs cilësohet si një intelektuale e shkëlqyeshme. Ajo fillimisht kishte studiuar pianon, por pastaj është riorientuar në studimet e marrëdhënieve ndërkombëtare. Këtë vendim e kishte marrë e inspiruar nga babai i Medlin Ollbrajtit, refugjati çek Jozef Korbel.
Kondoliza Rajs flet rrjedhshëm rusishten dhe në kohën e kolapsit të komunizmit kishte shërbyer si eksperte për çështjet e Rusisë në Këshillin e Sigurisë Nacionale.
Analistët thonë se pikërisht për faktin që është eksperte për çështjet e Rusisë, emërimi i saj sekretare e shtetit mund të ndryshojë qëndrimin amerikan ndaj Moskës dhe të afrojë Shtetet e Bashkuara me Evropën Perëndimore.