KABUL

Rrëmbyesit e tre punonjësve të OKB-së në Afganistan, në mesin e të cilëve është edhe Shqipe Hebibi, kanë thënë se kanë arritur marrëveshje me qeverinë në Kabul, për kushtet e lirimit të tyre. Por, nuk ka pasur konfirmim për këtë, ndërsa një zyrtar i lartë amerikan ka thënë se marrëveshja do të inkurajonte rrëmbime tjera.
Televizioni shtetëror afgan ka raportuar se presidenti Hamid Karzai ka urdhëruar lirimin e disa të burgosurve për festën e Bajramit, por nuk ka indikacione se lirimi do t'i përfshijë edhe të burgosurit e identifikuar nga rrëmbyesit.
"Ne kemi marrë sinjale se të burgosurit për të cilët ne kemi kërkuar lirimin, do të jenë të lirë", i ka thënë agjencisë Associated Press lideri i grupit militant Akbar Agha.
Biznesmeni nga Kosova Behxhet Pacolli, i cili ka disa ditë që është në Kabul, ka thënë se marrëveshja ka të ngjarë që të ndodhë shpejt dhe tre pengjet të lirohen brenda ditës.
Militantët insistojnë në shkëmbimin e të burgosurve deri në mbrëmjen e sotme.
Zyrtarët qeveritarë në Afganistan, po ashtu kanë shfaqur shpresën për lirimin e të rrënbyerve dhe kanë shtuar se marrëveshja për të cilën flasin rrëmbyesit nuk është e mundur.