PARIS

Këshilltari i lartë i Yasser Arafatit, Nabil Abu Rdainah the se lideri palestinez ende ndodhet në gjendje kritike në spitalin ushtarak të Parisit.
Në orët e kaluara ka patur raporte kundërthënëse për gjendjen e Arafatit. Ministri palestinez Saeb Erekat e përshkroi gjendjen e tij si "të vështirë", por i mohoi raportet për vdekje klinike.
Ndërkohë, zyrtarët palestinezë refuzuan të diskutojnë haptas përgatitjet për varrimin e liderit palestinez.
Vetë Arafati ka thënë se dëshiron të varroset në Jerusalem, gjë që Izraeli e ka refuzuar, duke thënë se Arafati duhet të varroset në Rripin e Gazës.
Ndërkohë, kryeministri palestinez Ahmed Qorei sot pritet të bisedojë me liderët e fraksioneve kryesore të armatosura palestineze, për të parandaluar dhunën në rast të vdekjes së Yasser Arafatit.