KOSOVA – TË FITUARIT DHE TË HUMBURIT

Jane's Intelligence Digest

Pak befasira sollën zgjedhjet e fundjavës së shkuar në Kosovë. Mospjesëmarrja masive e pakicës serbe në këto zgjedhje ishte një tjetër dëshmi për ndikimin e nacionalistëve të Beogradit mbi ta.
Ashtu si pritej vazhdon më tej analiza Lidhja Demokratike e Kosovës fitoi shumicën e vendeve në Parlament, por pa mundur të fitojë shumicën e nevojshme për të qeverisur vetëm. Pas saj u renditën Partia Demokratike dhe Aleanca per Ardhmërinë e Kosovës. Ndërkaq pjesëmarrja e përgjithshme ishte 51% krahasuar me 64 për qind që ishte në zgjedhjet e 2001. Sipas shefit të UNMIK-ut, Soren Jesen Petersen, serbët nuk dolën në votime për shkak të kërcënimeve nga nacionalistët e vijës së ashpër në Beograd, por sërish ky është një fakt shqetësues për administrimin ndërkombëtar në Kosovë.
Mbështetësit kryesor të mospjesëmarrjes së serbëve në votime ishin kryeministri serb Koshtunica dhe kisha ortodokse serbe. Në fakt këto zgjedhje nxorrën Vojisllav Koshtunicën si lojtar kyc në betejën për të zhvleftësuar qeverinë e re të Kosovës. Madje ky sukses i Koshtunicës, në mesin e pakicës serbe në Kosovë, ishte shumë më i madh edhe nga parashikimet e vetë zotit Koshtunica. Kjo mospjesëmarrje është një justifikim më shumë në mbështetje të planit të Koshtunicës, që qarkullon që në vitin 1999 dhe që lidhet me të ashtëquajturin "kantonizim të Kosovës".
Ky plan synon që zonat, të cilat ishin me shumicë serbe në Kosovë para vitit 1999, të kenë të drejtën e vetqeverisjes. Koshtunica ka shkuar më larg kur ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të heqë dorë nga "deklarartat e pakuptimta për një Kosovë shumëetnike". Ndonëse Koshtunica ka mbështetjen e Rusisë për këtë plan ky i fundit është hedhur poshtë nga UNMIK-u, Shtetet e Bashkuara dhe Britania, që e kanë kundërshtuar me vendosmëri mundësinë e kantonizimit.
Nga ana tjetër cështja e pazgjidhur e statusit të Kosovës dhe mbi të gjitha mungesa e përparimit në këtë drejtim, mund të cojnë në shpërthime të reja dhune.
Një ekspert ndërkombëtar për cështjet e sigurisë dhe njohës i Ballkanit ka thënë se "Kosova është në vendet e poshtme të axhendës ndërkombëtare për momentin." Kjo sipas tij shton frustrimin në mesin e shqiptarëve dhe serbëve, të cilët nuk shohin thuajse asnjë përparim në vendosjen e statusit politik të Kosovës. Ky i fundit ka ndikuar që dhe gjendja ekonomike të mbetet e dobët. Statistikat tregojnë se afro gjysma e fuqisë së aftë për punë në Kosovë është e papunë, derisa 70% e popullsisë është nën 25 vjec.
Në këto kushte nëse vazhdon të mos ketë përparim në cështjen e statusit dhe ato ekonimike mund të thuhet se fituesit e vërtetë nga zgjedhjet dalin militantët që mund të gjejnë më shumë mbështetës.