VIENË

Zyrtarët nga Franca, Britania dhe Gjermania do t'i takojnë përfaqësuesit e Iranit, për ta nxitur Republikën Islamike të heqë dorë nga planet për pasurimin e uraniumit, për t'i shmangur sanksionet e Kombeve të Bashkuara.
Pritet që tre vendet evropiane të shprehin gatishmëri për t'i dhënë Teheranit teknologji bërthamore, përfshirë reaktorin bërthamor me ujë të lehtë, nëse Irani ndërmerr masa të tregojë se nuk zhvillon armë bërthamore.
Shtetet e Bashkuara i kërkuan Këshillit të Sigurimit të ndërmerr sanksione ndaj Iranit, ndërsa Teherani ka mohuar se përpiqet të zhvillojë armë bërthamore.
"Pikëpamjet tona mbeten të njëjta. Irani fatkeqësisht nuk ka treguar shenja se zbaton detyrimet e Bordit të Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, prandaj çështja duhet të dalë në Këshillin e Sigurimit", deklaroi në Uashington zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Richard Boucher.