KRIJIMI I MINISTRISË PËR KTHIM DHE KOMUNITETE - MUNDËSI PËR KTHIM TË QËNDRUESHËM TË PAKICAVE

Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Kthimi i të zhvendosurve është njëri nga katër standardet prioritare që Kosova duhet të përmbushë përpara mesit të vitit 2005, por institucionet e Kosovës dhe UNMIK-u nuk janë krejt të kënaqur nga rrjedha e deritanishme e procesit, duke fajësuar për këtë ngjarjet e marsit dhe njëkohësisht duke mbështetur shpresat te formimi i Ministrisë për Kthim dhe Komunitete.
Zëdhënësi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Jeff Bieley tha se kthimi është një nga prioritetet kryesore dhe më të rëndësishme për UNMIK-un:
"Gjithsej që nga viti 2 000 janë kthyer 11 mijë persona të zhvendosur, rreth gjysma e të cilëve kanë qenë serbë, mirëpo ngjarjet e marsit ishin një kthim i konsiderueshëm mbrapa në këtë proces," tha zëdhënësi Bieley, sipas të cilit nga rreth katër mijë të zhvendosur gjatë trazirave të marsit edhe më shumë se 2 mijë kanë mbetur pa u kthyer në shtëpitë e tyre, me gjithë përpjekjet e qeverisë së Kosovës për rindërtimin e shtëpive të dëmtuara të serbëve.
Ndërkaq, zëdhënësja e qeverisë së Kosovës, Mimoza Kusari- Lila, në një prononcim për Evropën e Lirë tha se procesi i përmbushjes së standardit për kthimin ka pësuar një kthim prapa:
"Standardi për kthim ka pësuar një humbje apo kthim prapa gjatë trazirave të marsit, pasi jo vetëm që u ndalua procesi i kthimit, por u shkaktuan edhe zhvendosje të reja për shkak të trazirave. Tani pas raportit të fundit nga plotësimi i standardeve që do t’i dorëzohet Këshillit të Sigurimit, del se gati 50 për qind e të zhvendosurve gjatë trazirave të marsit tashmë janë kthyer, ndërsa kthimi në vendet e tjera të personave të zhvendosur gjatë vitit 1999 po zhvillohet në një masë jo të kënaqshme, por nëse krahasohet me vendet e tjera, mund të thuhet se ka përparim krahasuar me Bosnjën apo Kroacinë".
Nga ana tjetër, zëdhënësi Bieley tha se për shkak të trazirave të marsit UNMIK-u dhe institucionet e Kosovës kanë hartuar strategjinë e re për kthimin, që mbështetet në parimin e kthimit të qëndrueshëm:
"Është përcaktuar korniza operacionale për kthim të qëndrueshëm dhe kjo ka të bëjë me ofrimin e përkrahjes për të gjitha llojet e kthimit, që nga kthimi individual e deri te kthimi i organizuar," tha Bieley, duke përmendur si shembull të mirë për këtë kthimin e 33 familjarëve në fshatin Binçë apo Vidaje të Klinës, që do të pasohet nga kthimi i 130 personave të tjerë në këtë fshat, me ç’gjë kryeadministratori është shprehur i entuziazmuar.
Zëdhënësja Kusari-Lila tha ndërkaq se edhe pse ka mjete të pashfrytëzuara nga fondi për të kthyerit, këto mjete do të shpenzohen si duhet deri në fund të vitit:
"Ende ka mjete të pashfrytëzuara nga qeveria nga ai fondi prej 10.5 milionësh, mjete që janë rialokuar pas trazirave të marsit dhe janë projekte që janë në përfundim e sipër dhe shpresojmë që deri në fund të vitit të gjitha mjetet të shkojnë në destinacionin e duhur."
Sidoqoftë, shpresat e qeverisë dhe të UNMIK-ut duket të jenë mbështetur edhe tek formimi i paralajmëruar i Ministrisë për Kthim dhe Komunitete, që është propozim i përbashkët i përfaqësuesve shqiptarë dhe serbë, tha Kusari-Lila:
"Është arritur një pajtueshmëri në një çështje, pasi dihet se që nga marsi serbët kanë bojkotuar institucionet e Kosovës, ndërsa në anën tjetër kjo ministri do të jetë një çadër, në kuadër të së cilës do të koordinohen aktivitetet e kthimit."
Zëdhënësi i UNMIK-ut Jeff Bieley tha se propozimi për këtë ministri është mirëpritur edhe për faktin se është propozim i përbashkët i shqiptarëve dhe serbëve:
"Ne po punojnë lidhur me propozimin për ministrinë e re dhe për të përcaktuar se cilat janë përgjegjësitë që do t’u barten institucioneve të Kosovës në fushën e kthimit," tha zëdhënsëi Bieley, sipas të cilit zyra për komunitete dhe kthim, që aktualisht funksionon në kuadër të UNMIK-ut do të vazhdojë të funksionojë, por do të ripërcaktohet funksioni i saj.