U HAP SEMINARI PËR GJUHËN, LETËRSINË DHE KULTURËN SHQIPTARE

Bekim Bislimi, Prishtinë

Seminari i 23-të ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare, synon që të zhvillojë një veprimtari të shumanëshme, kurse intensive për mësimin e gjuhës shqipe në tre nivele, ligjërata për gjuhën dhe letërsinë, si dhe referime shkencore nga fusha të ndryshme të albanologjisë, të shoqëruara me debate shkencore, tha sot në hapjen solemne të këtij seminari, drejtori i tij Fadil Raka. Ai theksoi se ky seminar sivjet shënon 30 vjetorin e themelimit të tij, duke vazhduar ta ruajë traditën e bashkëpunimit me albanologët nga vendet e ndryshme të botës.
“Seminari ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare, që nga themelimi e këtej, përmes veprimtarisë së tij ka dhënë dhe vazhdon të japë mesazhe bashkëpunimi, respekti e dashurie, jo vetëm për botën shqiptare, por edhe për të gjithë ata të cilët mbi të gjitha e çmojnë shkencën, kulturën dhe vlerat e tjera njerëzore”.
Bashkëdrejtori i seminarit të 23-të ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare, Ethem Likaj, tha se për tridhjetë vjet, ky seminar ka njohur dhe vlerësuar histori të vjetra dhe të reja të popullit shqiptar.
“Të gjithë jemi të bindur se edhe në këta 30 vjet kemi thënë pak, megjithëse jemi përpjekur dhe kemi dashur të themi shumë, sepse ka shumë për të thënë për gjuhën, kulturën dhe letërsinë shqiptare. Prandaj, vargoi i seminareve as nuk duhet këputur e as ndërprerë, por duhet të vazhdojë edhe më tej. Nga viti në vit është rritur jo vetëm rrethi i pjesëmarrjes, por edhe përfaqësimi i autoriteteve shkencore të këtyre seminarëve. Nga një bërthamë e vogël drejtuese, me pjesëmarrje më të gjerë individuale se sa institucionale, sot ai përfaqësohet si një bashkim i mirëorganizuar shumëkomponentesh”.
Rexhep Ismaili, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, tha se puna e suksesshme e ka bërë seminarin një institucion me peshë të veçantë shkencore, kulturore dhe kombëtare, si dhe me potencë krijuese. Këtë qëndrueshmëri, sipas zotit Ismaili, ky seminar ja detyron karakterit të tij të hapur dhe synimit për të përfshirë të gjitha rrjedhat në studimet shqiptare.
“Ingranimi i studiuesve vendas dhe të huaj, në një vend dhe në një kohë, me projekte të përbashkëta ose me paraqitje rezultatesh të hulumtimeve të tyre, i kanë dhënë seminarit dimensionin e vërtetë të institucionit që merret me gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare globalisht dhe duke ngërthyer edhe vizionet e sotme”.
Ndërkaq, Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Rexhep Osmani, shprehi mirënjohjen ndaj pjesëmarrësve në seminaret e deritanishme për kontributin e dhënë në fushën e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare, si dhe interesimin e kësaj ministrie për këtë seminar.
“ Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë është e interesuar që në programet e seminarit të trajtohen edhe tema nga fusha e mësimdhënies dhe mësimnxënies të gjuhës dhe letërsisë në shkollat tona, në veçanti të gjuhës, duke bërë krahasime edhe me mësimin e gjuhës amëtare me vendet e tjera nga vijnë seminaristët. Është brezi i ri që duhet t’i mësojë dhe i vetmi respektues i dijes dhe i vlerave, nga një gjeneratë në tjetrën”.
Seminari i 23-të ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare, do t’i vazhdojë punimet deri më 27 të këtij muaji, ku përveç albanologëve nga Kosova, do të marrin pjesë edhe albanologë nga Shqipëria, Maqedonia, Greqia, Italia, Rumania, Hungaria, Gjermania, Suedia, Rusia dhe vende të tjera.