BEOGRAD

Millorad Ulemek Legija, i akuzuari i parë për vrasjen e kryeministrit të Serbisë, Zoran Gjingjiq, deklaroi sot në vazhdimin e gjykimit, se pushka me të cilën është vrarë zoti Gjingjiq, nuk ishte pjesë e armatimit të njësisë për operacione speciale. Sipas akuzës, ish shefi i sigurimit i zotit Ulemek, Nenad Share kishte thënë se këtë pushkë i akuzuari Legija e kishte marrë në njësinë për operacione speciale dhe ia kishte dhënë Zvezdan Jovanoviqit, i cili më 12 mars të vitit 2003, e vrau Zoran Gjingjiqin. Në seancën e sotme gjyqësore, i akuzuari Legija ka thënë se "ai e ka tezën e tij" për atentatin kundër zotit Gjingjiq, por tash atë tezë nuk dëshiron ta paraqesë.