KS KËRKON NGA ANAN T'I MARRË PUSHTETIN UNMIK-UT DHE T'IA DORËZOJË KOSOVARËVE

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka kërkuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan, që të rekomandojë rrugë më efektive për kalimin e pushtetit tek autoritetet vendore të Kosovës.
Këshilli i Sigurimit përmes një deklarate ka kërkuar nga Anan që "të propozojë masa të reja institucionale", të cilat do të mundësojnë heqjen e pushtetit nga administrata e Kombeve të Bashkuara dhe dhënjen e tij Institucioneve të vetqeverisjes, që kryesohen nga shqiptarët.
Këshilli i Sigurimit i ka bërë thirrje udhëheqësve shqiptarë që të veprojnë menjëherë për të përmirësuar kushtet për pakicat etnike, vecanërisht për serbët, sidomos parë në dritën e dhunës që ndodhi në muajin mars. Presidenti i rradhës i KS-së, ambasadori gjerman Gunter Pleuger, lexoi deklaratën e Këshillit, ku mes të tjerash thuhej:
"Asnjë palë nuk mund të lejohet që të përfitojë apo të cojë përpara një agjendë politike përmes dhunës. Këshilli kërkon nga institucionet e përkohshme dhe udhëheqësit politik të marrin përgjegjësitë në gjendjen e krijuar dhe të sigurojnë se akte të tilla dhune nuk do të përsëriten."
Deklarata në fjalë gjithashtu ka ripërsëritur mbështetjen për planin e Kombeve të Bashkuara për zbatimin e standardeve. Njëherësh në të thuhej se asnjë vendim mbi statusin përfundimtar nuk do të merret pa u shënuar përparim në reforma dhe planin në fjalë.