BAGDAD

Misioni i ushtarëve amerikanë është të vrasin apo të kapin udhëheqësin e rebelëve shiitë, Moqtda al-Sadr, ka bërë të ditur gjenerali amerikan Richardo Sanchez, komandanti i trupave amerikane në Irak.
"Misioni i forcave amerikane është të vrasin apo të kapin Moqtda al Sadr. Ky është misioni ynë, derisa ne e dimë vendndodhjen e tij. Megjithatë do të ishte e papërshtatshme që të flisja për informacionet tona lidhur me vendin ku streohet al-Sadr në këto momente", tha gjenerali Sanchez.
Kjo deklaratë erdhi pas atyre të drejtuesve vendorë të Naxhafit, që gjendet nën kontrollin e kryengritësve të al-Sadrit, se po vazhdojnë bisedimet për zgjidhjen e krizës.
Njëherësh gjenerali Sanchez bëri të ditur se forcat e koalicionit kanë rivendosur kontrollin në qytetet e Kutit dhe Nasirijas.
Gjatë ditës, këshilltari i sigurisë i Këshillit Qeverisës së Irakut, Moufak al-Rubaie, i ka bërë thirrje banorëve të Falluxhës të dorëzojnë autorët e vrasjes së katër civilëve amerikanë që punonin në Irak.