DEBAT PUBLIK PËR DECENTRALIZIMIN E PUSHTETIT

Zijadin Gashi, Prishtinë

Decentralizimi i pushtetit në Kosovë, për administratën e Kombeve të Bashkuara do të jetë një prej prioriteteve dhe me këtë process nuk nënkuptohet ndarja e Kosovës në vija etnike, thotë Sunil Narula, zëdhënës i UNMIK-ut. Në anën tjetër, përfaqësues vendorë të cilët përfaqësojnë shqiptarët dhe serbët e Kosovës, ndajnë mendime të ndryshme rreth organizimit të pushtetit lokal dhe çështjes nëse duhet apo jo në këtë proces të ketë dhe ndarje në vija etnike. Për zotin Narula, decentralizimi si një prej tetë standardeve do të vihet sërish në debat publik dhe së shpejti do të propozohen dhe plane konkrete për fillimin e këtij procesi, apo reformës së pushtetit lokal siç quhet në rastet më të shpeshta:
“UNMIK-u është krejtësisht kundër kantonizimit, kurse sa i përket decentralizimit ai është pjesë e procesit të standardeve”, thotë Narula. Mirëpo edhe pse një projekt konkret tashmë e ka ofruar Këshilli i Evropës, Narula thotë se ai është nje prej modeleve, kurse për të gjetur modelin më të mirë për Kosovën duhet rifilluar me një debat të ri publik ku do të përfshiheshin të gjitha strukturat vendore dhe ato ndërkombëtare.
Ndërkohë, këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Ilir Deda, thotë se qeveria e Kosovës nuk do të mbështetë çfarëdo projekti për ndarjen e Kosovës në vija etnike, ndërsa angazhohet për hapjen e një dialogu të brendshëm ndëretnik, përmes së cilit serbët e Kosovës do t’i adresojnë çështjet e tyre legjitime, pa pasur nevojë për dhënien e autonomive enklavave ekzistuese serbe:
“Kryeministri dhe qeveria i kanë hedhur poshtë mundësitë për kantonizim dhe decentralizim në vija etnike. Kryeministri e ka cekur se një prej prioriteteve të qeverisë do të jetë dhe hapja e dialogut të brendshëm me përfaqësuesit serbë, në mënyrë që të adresohen të gjitha kërkesat e tyre legjitime”, tha Deda.
Në anën tjetër, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, mendojnë se Kosova është larg standardeve evropiane dhe se zgjidhja më e mirë për serbët e Kosovës sipas deputetit Gojko Saviç, do të ishte vetëqeverisja lokale për pjesët e banuara me shumicë serbe:
“Praktikisht aty ku jeton komuniteti serb, nëpër enklava, duhet të ketë vetëqeverisje lokale, në mënyrë që të mund të vendosin vetë për gjërat që kanë të bëjnë me komunitetin serb”, thotë Saviç, duke e përjashtuar çdo opsion tjetër, pasi sipas tij, në Kuvendin e Kosovës është vërtetuar se asnjë interes i serbëve nuk mund të zbatohet, pasi shumica shqiptare zakonisht i mbivoton ata.
Me këtë ide, nuk pajtohet kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Lutfi Haziri, i cili vlerëson se parimet e ndarjeve etnike, përveç se janë kundër standardeve evropiane, ato do të paralizonin funksionimin e pushtetit lokal:
“Riorganizimet e tilla territoriale nuk kanë të bëjnë fare me atë që ka nevojë Kosova dhe çfarëdo forme të decentralizimit, por ajo është një kërkesë politike e cila kërkon ndarje të komunitetit pakicë dhe shumicë, krijimin e konfikteve në nivele më të ulëta dhe do të krijohej një kaos administrativ dhe një pamundësi e komunikimit dhe koordinimit të aktiviteteve që janë në interest të qytetarëve në të ardhmen”, vlerëson Haziri.
Ndërkohë, zëdhënësi i UNMIK-ut, Sunil Narula, thotë se ende asnjë opsion nuk është përfundimtar, kurse qëllimi i këtij procesi sipas tij nuk është shpërputhja e pushteteve, por ofrimi i tij tek qytetari:
“Parimi i decentralizimit është që përmes tij qeveria të jetë më afër qytetarit dhe se krejt ideja është që të krijohet një qeverisje e mirë”, thotë Narula.
Përndryshe, decentralizimi, kohëve të fundit, është adoptuar si term nga qeveria e Beogradit, për të zëvendësuar termin kantonizim, i cili ka hasur në reagime ndërkombëtare. Pas trazirave të 17 dhe 18 marsit, qeveria e Koshtunicës, siç vlerësojnë mediat vendore e ka përshpejtuar fushatën e vet dhe së shpejti do të propozojë një plan për organizimin e pushtetit lokal në Kosovë, ndërkohë që zyrtarë të UNMIK-ut pohojnë se Kosova qeveriset nga Kombet e Bashkuara, kështu që decentralizimi, sipas tyre, mund të dalë vetëm si rezultat i debatit të brendshëm në Kosovë.