VRASJA NË LYPJAN NUK KA MOTIVE ETNIKE

Albana Isufi, Prishtinë

Mbrëmë në afërsi të Lypjanit policia e administratës ndërkombëtare dhe KFOR-i kanë gjetur të vrarë me armë zjarri në veturën e tyre dy persona, një mashkull dhe një femër. Zëdhënësja e policisë Angela Joseph, tha se mashkulli i vrarë është i përkatësisë kombëtare serbe, kurse femrën nuk kanë arrituar ta identifikojnë, pasi që nuk kishte dokumente identifikimi me vete.
Por, burimet serbe të informimit njoftojnë se të vrarët janë Zlatomir Kostiç 36 vjeç nga Fushë Kosova dhe Miljana Markoviç 22 vjeçe nga fshati Grackë i komunës së Lypjanit.
Zëdhënësja e policisë së Kombeve të Bashkuara, Angela Joseph tha se policia është duke hetuar rastin në mënyrë që t’i gjejë përgjegjësit e kësaj vrasjeje të dyfishtë. Joseph thotë se motivi i vrasjes ende nuk dihet. Megjithatë, kjo vrasje, sipas saj, nuk ka të bëjë me motive etnike.
“Deri tash nuk kemi indikacione se ky rast ka të bëjë me motive etnike. Por, ne po i zhvillojmë hetimet në një spektër të gjerë. Incidenti mund të ketë ndodhur
brenda për brenda komunitetit serb. Derisa ne e kemi identifikuar mashkullin e vrarë në vendin e ngjarjes, ne nuk kemi mundur ta identifikojmë femrën e vrarë, kështu që incidenti mund të ketë lidhje me dy të vrarët, me marrëdhëniet në mes tyre," tha Joseph.
Ndërkohë, kryetari i komunës së Lypjanit Xhevat Olluri, thotë se situata në qytetin e Lypjanit sot është e qetë. Olluri ka dënuar këtë vrasje të dyfishtë dhe ka kërkuar nga policia hetuese që të zbulojë vrasësit e viktimave.
“Janë vrarë një burrë dhe një grua, nuk dihet nga kush. Por nga kushdo që të ketë ndodhur është një rast jo i mirë dhe unë si kryetar dhe Kuvendi Komunal i Lypjanit, e dënojmë këtë rast dhe kërkojmë që të zbardhet”, tha Olluri.
Ndërkohë burimet serbe të informimit njoftojnë se sot në fshatin Grackë të Lypjanit kanë protestuar rreth 300 serbë. Në protestë kanë marrë pjesë edhe udhëheqësit e koalicionit serb “Kthimi”, të cilët për vrasjen e mbrëmshme kanë akuzuar misionin e administratës ndërkombëtare në Kosovë.
Por, në Misionin e Kombeve të Bashkuara sërish kanë tërhequr vërejtjen se deri në përfundimin e hetimeve nuk do të ishte e përshtatshme që të përcaktohen në bazë të paragjykimeve motivet e cilitdo rast, përfshirë edhe këtë të fundit.