HOLKERI: MOSPËRMBUSHJA E STANDARDEVE SHTYN HAPJEN E DISKUTIMEVE PËR STATUSIN

Albana Isufi, Prishtinë

Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Harri Holkeri ka përsëritur qëndrimin e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit se nëse standardet nuk arrihen deri në mes të vitit 2005, atëherë bisedimet për statusin final do të shtyhen. Holkeri ka thënë se mospjesëmarrja e të gjitha komuniteteve në grupet punuese po e shtyn hartimin e planit për implementimin e standardeve.
“Ne kemi pasur disa vështirësi siç është fakti se serbët e Kosovës nuk po marrin pjesë në grupet punuese edhe pse ne vazhdimisht i kemi ftuar të marrin pjesë dhe po i ftojmë sërish. Kjo është e vetmja mënyrë se si mund të dëgjohet edhe opinioni i tyre në planin për implementimin e standardeve. Por fakti se nuk e kemi gati dokumentin nuk do të thotë se procesi për përmbushjen e standardeve është ndalur," tha Holkeri.
Holkeri tha se nuk ka shumë kohë për plotësimin e standardeve, por nëse këto arrihen para mesit të vitit 2005, atëherë do të fillohet menjëherë me procesin e dhënies së më shumë kompetencave autoriteteve lokale dhe do të fillohet me bisedimet për statusin final.
Ndërkaq sa i përket bisedimeve për çështje praktike mes Prishtinës dhe Beogradit të cilat ishin paraparë të mbahen në fund të kësaj jave, Holkeri ka thënë se ato janë shtyrë për javën tjetër, për shkak se duhet të zgjidhen disa çështje teknike. Kurse, përbërja e delegacioneve, sipas Holkerit do të vendoset nga vetë vendet që do të bisedojnë.
“Do të kemi dialog mes Beogradit dhe Prishtinës. Delegacioni që vjen nga Beogradi është delegacion i Beogradit dhe është i autorizuar nga qeveria e Serbisë, cilado qeveri që të jetë ajo, por është delegacion i Beogradit dhe delegacioni nga Prishtina është delegacion i Prishtinës”, tha Holkeri.
Holkeri ka mohuar mundësinë e pengimit të dialogut për shkak të reagimeve të institucionve të Kosovës për shkak te riaktivizimit të Grupit të Lartë Punues.
“Marrëveshja që qe bërë nga paraardhësi im Hakerupi nga ana e UNMIK-ut dhe nga Dr. Çoviç, sa i përket anës tjetër, nuk mund ta zëvendësojë dialogun. Marrëveshjet janë në interes të UNMIK-ut dhe Beogradit. Ne do të diskutojmë disa çështje që nuk i takojnë dialogut, por as implementimit të standardeve për Kosovën," tha Holkeri.
Holkeri tha se agjenda e çështjeve që do të diskutojnë me Grupin e Lartë Punues është bërë bashkarisht nga UNMIK-u dhe ky grup. Holkeri tha se si çështje që do të diskutojë me këtë grup do të jenë strukurat paralele.