PETKOVIQ: DO DALIM ME PROPOZIM TË RI PËR DECENTRALIZIMIN

Zijadin Gashi, Prishtinë

Partia Demokratike Serbe e Kosovës ka paralajmëruar sot se do të dalë me një draft-propozim të vetin për sa i përket procesit të decentralizimit në Kosovë, duke u përqëndruar në nevojat e komunitetit serb. Kryetari i kësaj partie, Sllavisha Petkoviq, që njëkohësisht është dhe Ministër për Kthim e Komunitete, i ka paraqitur këtë qëndrim anëtarit të delegacionit të Kosovës për bisedimet, Veton Surroit, drejtues i Këshillit Konsultativ për Komunitete, me të cilin janë pajtuar që decentralizimi është çështje e brendshme e Kosovës.
Petkoviq tha se decentralizimi është çështja kryesore që do të përcaktonte pozitën e pakicës serbe në Kosovë. Propozimet që do të jepen, sipas tij, nuk do të ndryshojnë shumë planin e qeverisë së Kosovës, por do t’i plotësojnë disa hapësira brenda këtij plani, me të cilat serbët nuk janë të kënaqur:
“Të gjitha propozimet e deritashme nuk zgjidhin çështjet kryesore që kanë të bëjnë me të gjithë qytetarët e Kosovës, e posaçërisht të komunitetit serb, kështu që ne do të dorëzojmë një propozim të shkruar javën e ardhshme”, tha Petkoviq.
Në anën tjetër, Veton Surroi tha se decentralizimi është identifikuar tashmë si proces, përmes së cilit mund të përmirësohet dhe pozita e komunitetit serb. Prandaj, ai tha se delegacioni i Kosovës ka vendosur që t’i dëgjojë qëndrimet e këtij komuniteti, në mënyrë që procesi të zhvillohet dhe drejtohet në Kosovë, pa ndërhyrje nga jashtë:
“Jemi pajtuar se çështja themeltare është reforma e pushtetit lokal, çështja thelbësore cila ka të bëjë me nevojat e popullit serb në Kosovë është çështja e pushtetit lokal. Petkoviq ka vërejtje në proces, ne ato vërejtje do t’i shikojmë me kujdes dhe ato vërejtje më pastaj do t’i përpunojmë bashkërisht edhe në delegacion edhe me ministrin Haziri, i cili është i përcaktuar nga ana e delegacionit për të punuar në çështjen e decentralizimit”, tha Surroi.
Në lidhje me draft-propozimin e Partisë Demokratike Serbe, që përfaqësohet me dy deputet në Kuvendin e Kosovës, Sllavisha Petkoviq tha se për këtë dokument nuk është arritur ndonjë konsensus paraprak me Listën Serbe, që drejtohet nga Oliver Ivanoviq, por Petkoviq u shpreh i gatshëm të bisedojë me këtë subjekt për harmonizimin e qëndrimeve të komunitetit serb për decentralizimin. Petkoviq tha se pajtohej me Surroin që decentralizimi duhet të jetë një çështje e brendshme e Kosovës dhe nuk duhen lejuar ndërhyrjet nga jashtë:
”Për çështjet e jetës së përditshme duhet të vendosin banorët që jetojnë këtu në Kosovë, që do të thotë se për decentralizimin në komunat serbe duhet të vendosin
qytetarët që jetojnë këtu”, tha Petkoviq, duke shtuar se askush nuk mund të vendosë për këtë çështje përveç atyre që jetojnë në Kosovë.
Ndërsa Sllavisha Petkoviqit i mbetet të konsultohet për dreftin e tij dhe me Listën Sserbe, Veton Surroi tha se përparimet në procesin e decentralizimit do të shpejtonin vetë zgjidhjen e statusit të Kosovës:
“Zgjidhja e statusit do të kushtëzohet nga të gjithë faktorët që kanë të bëjnë me funksionimin e shtetit të Kosovës edhe decentralizimi është një prej pikave kyçe, dhe unë nuk do të thoja se kushtëzohet, por sa më shpejt që t’i zgjidhim disa prej këtyre çështjeve, aq më i shpejtuar do të jetë dhe procesi i zgjidhjes së statusit”, tha Surroi.
Këshilli Konsultativ për Komunitete, që drejtohet nga Veton Surroi, ka marrë mandatin nga delegacioni i Kosovës të bisedojë me të gjitha komunitetet për t’i dëgjuar kërkesat e tyre për bisedimet për statusin, decentralizimin dhe çështjet e tjera, në mënyrë që edhe pikëpamjet e tyre të jenë pjesë e platformës së Ekipit Negociues të Kosovës. Për këtë qëllim, Surroi ka takuar këto ditë dhe përfaqësues të komuniteteve të tjera, kurse sot zhvilloi një takim dhe me kryetarin e Partisë së Aksionit Demokratik për Kosovën, Numan Baliq, ku ai dëgjoi kërkesat e komunitetit boshnjak për procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës.