LUBJANË

Nënsekretari i Departamentit amerikan të Shtetit për Çështje Politike, Nicholas Burns tha se Shtetet e Bashkuara kundërshtojnë ndarjen e Kosovës. Ai poashtu u angazhua për "respektimin e qëndrimeve" të shqiptarëve të Kosovës.
"Qëndrimi dhe detyra jonë nuk është që paraprakisht të themi se çfarë do të jetë rezultati i bisedimeve. Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht punën e të dërguarit të OKB-së për statusin e Kosovës Marti Ahtisari" tha Burns, për gazetën sllovene, "Delo".
"Besoj gjithashtu se vendimet për të ardhmen e Kosovës mund t'i marrin vetëm ata, të cilët jetojnë atje: shqiptarët dhe serbët e Kosovës dhe natyrisht qeveria e Serbisë" tha Burns, duke shtuar se "nuk beson që ndarja do të ishte zgjidhje e mirë". "Jemi kundër çfardo ndryshimi të kufijve të Kosovës dhe në përgjithsi të çfardo ndryshimi të kufijve në gjithë Ballkanin" tha nënsekretari Burns.
Ai shprehi bindjen se "status quo-ja" nuk mund të vazhdojë. "Gjendja e tanishme zgjat që 6 vite dhe duhet të ndryshojë. 90 përqind e popullsisë janë shqiptarë të Kosovës dhe duhet të dëgjojmë e respektojmë qëndrimet e tyre" tha Burns, për gazetën "Delo".