DIGJEN FLAMUJT E PRESIDENCËS

Albana Isufi, Prishtinë

Flamuj të Presidencës së Kosovës janë djegur sot përballë Kuvendit komunal të Prishtinës nga ana e shoqatave të dala nga lufta. Po këto shoqata kanë hequr këta flamuj, të cilet ishin të vendosur në rrugët e kryeqytetit. Flamujt e presidencës së Kosovës qenë vënë mbrëmë nga ana e komunës së Prishtinës, së bashku me flamujt kombëtarë për nder të festës së 28 nëntorit.
Shoqatat e dala nga lufta kanë thënë se heqja dhe djegia e flamujve është bërë për shkak se sipas tyre, Kuvendi Komunal ka nxitur provokime të rënda duke vënë në qytet siç i kanë quajtur flamuj personale. Kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Luftës, Faik Fazliu thotë:
“Ne kemi organizuar dje heqjen e këtyre flamujve në mënyrë që të ndalim sot atë më të keqen, provokimin e qytetarëve tanë".
Zyrtarët e Kuvendit Komunal të Prishtinës janë kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, por nuk ka qenë e mundur t’u merret ndonjë prononcim rreth incidentit me flamuj.
Ndërkohë, Faik Fazliu, nga Shoqatat e dala nga lufta, ka thënë se i vetmi flamur i shqiptarëve duhet të jetë flamuri aktual kombëtar.
“Të gjithë këta njerëz nuk durojnë dot identitet tjetër përveç identitetit tonë shqiptar dhe flamurit tonë kombëtar."
Por, në anën tjetër qytetarët e Prishtinës, mendojnë se me formimin e shtetit të Kosovës, rrjedhimisht duhet të krijohen edhe simbolet shtetërore. Edhe flamuri duhet të dallojë nga ai kombëtar:
“Nëse formohen dy shtete, dhe që duhet të formohen, atëhere secili shtet duhet ta ketë flamurin e vet. Tjetër është flamuri kombëtar e tjetër është ai shtetëror", thotë njëri nga qytetarët, ndërkaq sipas Nyrie Feratit:
"Natyrisht e meriton atë. Si çdo shtet tjetër duhet ta ketë flamurin si simbol të një shteti."
Sipas Abdullah Mehmetit: "Nëse duam të jemi pjesëtarë të Kombeve të Bashkuara si shtet, atëhere duhet të kemi flamurin simbolet të gjitha që i ka një shtet".
Por, qytetarët mendojnë se kjo duhet të arrihet vetëm me anë të referendumit.
Shaban Beqiraj:" Mendoj që duhet të ketë flamurin e vet, por sipas të drejtave të popullit, qysh e përcakton populli ose parlamenti". Ndërsa një qytetar tjetër thotë:
"Gjithshka duhet të shkojë përmes referendumit ose përmes parlamentit".
Deri tani ka qenë vetëm presidenca e Kosovës që ka disajnuar një flamur tjetër nga ai kombëtar, flamurin e Dardanisë. Ndërkaq edhe pse tashmë ka filluar procesi i bisedimeve për statusin përfundimtar të Kosovës dhe qëllim kryesor i institucioneve të Kosovës është pavarësia dhe krijimi i shtetit, vetë këto institucione nuk kanë diskutuar deri tani për krijimin edhe të simboleve shtetërore.