AHTISARI: ZGJIDHJA PËR STATUSIN BRENDA PARIMEVE TË GRUPIT TË KONTAKTIT

Rrahman Pacarizi, Prishtinë

I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari, sot ka dëgjuar qëndrimet e kundërta të përfaqësuesve të komuniteteve pakicë lidhur me të ardhmen e Kosovës. Nga njëra anë, serbët i kanë thënë atij se Kosova e pavarur është e papranueshme për ta, përfaqësuesit e pakicave joserbe kanë thënë se janë pikërisht për shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës. Nga ana e tij, siç është bërë e ditur, zoti Ahtisari u ka shpjeguar të gjithëve se zgjidhja për statusin e Kosovës duhet të sillet brenda parimeve të miratuara nga Grupi i Kontaktit. Në takimin e parë për sot të zotit Ahtisari kanë marrë pjesë përfaqësues forcash të ndryshme politike të serbëve të Kosovës, përfshirë ata të Listës serbe për Kosovën e Metohinë dhe përfaqësues të Këshillit Nacional Serb.
Oliver Ivanoviq nga Lista Serbe tha se ka kërkuar që statusi të kërkohet përmes një procesi:
"Domethënë kërkojmë një proces që do ta zgjasë pak më shumë dhe krahas me të duhet të ndodhë një pjekuri më e madhe e shoqërisë dhe e udhëheqësve politikë të cilët duhet ta kuptojnë se dhuna nuk është zgjidhje," tha Oliver Ivanoviq, sipas të cilit shpesh herë gjërat në këto hapësira janë zgjidhur me forcë dhe me dhunë.
Në anën tjetër, përfaqësuesi i Këshillit Nacional Serb, Milan Ivanoviq, tha se para zotit Ahtisari kanë shfaqur brengat e tyre për faktin që periudha gjashtëvjeçare pas përfundimit të luftës ka qenë e pasuksesshme, ashtu si edhe vetë misioni i Kombeve të Bashkuara. Milan Ivanoviq tha se pavarësia është e papranueshme dhe serbët janë unikë në këtë qëndrim:
"Ne edhe një herë të gjithë së bashku e kemi shfaqur qëndrimin tonë se Kosova e pavarur është krejtësisht e papranueshme për serbët," tha Milan Ivanoviq. Ai tha se zoti Ahtisari i kishte njoftuar se zgjidhja do të gjendet brenda parimeve të Grupit të Kontaktit, ndërsa vendimin do ta marrë Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.
Mirëpo, përfaqësuesi i komunitetit boshnjak, Dzezair Murati, tha se ata kishin shprehur pozicionin e tyre pro pavarësisë së Kosovës:
"Ne sot patëm rast të themi se si e shohim statusin e ardhshëm të Kosovës, duke e mbështetur vullnetin e shumicës dhe duke kërkuar edhe disa të drejta shtesë që u takojnë pakicave sipas ligjeve dhe konventave ndërkombëtare," tha Dzezair Murati, duke shpjeguar se në këtë kuadër duhej bërë më shumë për barazinë gjuhësore dhe sigurimin e shkollimit me cilësor për pakicat. Qëndrim të ngjashëm ka shprehur edhe përfaqësuesi i komunitetit ashkali, Sabit Rrahmani:
"Një pjesë e madhe e komuniteteve joserbe e dhanë mendimin e tyre dhe e përkrahën rezolutën e shpallur nga Kuveni i Kosovës, për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Ne i treguam pikëpamjet tona, por edhe bashkësia ndërkombëtare nuk është e kënaqur nga mospërfshirja e komuniteteve joserbe në grupin negociator".
Zoti Ahtisari, i cili ndërkohë po takon përfaqësues të zyrave diplomatike të vendeve anëtare të Grupit të Kontaktit, pritet që vlerësimet e tij të para lidhur me takimet e këtyre tre ditëve sa ka qëndruar në Kosovë në fillimin e misionit të tij për gjetjen e statusit përfundimtar, t’i bëjë në një konferencë shtypi që mbahet në orët e pasdites.