DËRNOVSHEK: ZGJIDHJA PËRFUNDIMTARE DO TË JETË SHUMË E AFËRT ME PLANIN TIM

Zgjidhja për Kosovën duhet gjetur shumë shpejt, pasi është humbur shumë kohë, tha sot në Prishtinë, kryetari i Sllovenisë, Janez Dërnovshek. Presidenti slloven, i cili javë më parë doli me propozimin për pavarësinë e Kosovës në një afat prej pesë vjetësh, ku kishat dhe manastiret Ortodokse Serbe do të kishin statusin e eksterritorialitetit, i bëri këto komente pas një takimi me shefin e shtyllës së parë të UNMIK-ut Jean Dusoir, me ç’rast tha se zgjidhja përfundimtare e statusit të Kosovës do të jetë shumë e afërt me propozimin e tij:
"Mendoj se zgjidhja përfundimtare do të jetë shumë e afërt me propozimet e bëra në planin tim", tha presidenti slloven Janez Dërnovshek. Ai tha se sot kishte ardhur për ta parë situatën në terren dhe për të krijuar një ide më realiste lidhur me situatën. Zoti Dërnovshek, i cili nga zyrtarët e lartë vendor ka takuar presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova, në një takim që ishte i mbyllur për media, tha se kishte ardhur në Kosovë për të vizituar disa vende specifike për të cilat kishte folur edhe në planin e tij me propozimet për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës.
Në të vërtetë, zoti Dërnovshek ka ardhur sot në Kosovë për të vizituar Manastirin e Graçanicës dhe atë të Deçanit, të cilat sipas tij do të ishin në mesin e tempujve fetarë të serbëve të Kosovës, që do të kishin statusin e eksterritorialitetit, që nënkupton një administrim të pavarur të tyre nga Kisha dhe pamundësinë e autoriteteve vendore për të pasur qaje në to.
Propozimi i presidentit slloven, Janez Dërnovshek për një status të pavarur për Kosovën qe kundërshtuar ashpër nga Beogradi, me ç’ rast autoritetet e atjeshme patën anuluar një vizitë që Dërnovshek planifikonte ta bënte në Serbi.
Dërnovshek tha se mesazhi i tij për procesin e përcaktimit të statusit dhe për vetë statusin është përfshirë në planin e tij për zgjidhjen e problemit të Kosovës:
"Ne të gjithë do të përpiqemi së bashku për të gjetur zgjidhjen më të mirë të mundshme, pasi tani është koha, sepse shumë kohë është humbur tashmë", tha kryetari i Sllovenisë Janez Dërnovshek, i cili gjatë ditës ka vizituar edhe manastirin e Graçanicës në afërsi të Prishtinës, si dhe Manastirin e Deçanit në Kosovën Perëndimore.
Ndërkohë, kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi, duke e komentuar planin e zotit Dërnovshek tha:
"Çmoj vullnetin e mirë të zotit Dërnovshek dhe të qeverisë së Sllovenisë për të ndihmuar proceset në Kosovë. Si vend në BE mund të jetë përkrahëse e fortë e proceseve në Kosovë"
Kryeministri Kosumi, i cili nuk është takuar me kryetarin slloven, tha se zoti Dërnovshek kishte ardhur në një vizitë private dhe jo i ftuar nga qeveria.

Rrahman Paçarrizi