MOORE:"FAZË DELIKATE, UNITETI IMPERATIV"

Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë


RADIO EVROPA E LIRË
Bisedimet për statusin e Kosovës do të fillojnë shumë shpejt. Si e komentoni këtë fakt dhe në përgjithësi si pritni të zhvillohet ky proces?

PATRICK MOORE
Kemi dëgjuar që është diskutuar që bisedimet do të përmbyllen nga mesi ose vjeshta e vitit 2006, por është e vështirë të parashikohet me ndonjë ndjenjë sigurie absolute. I rëndësishëm është fakti që opsionet që duket se janë të mundshme këtu, janë të njohura për të gjithë. Kjo është e qartë në rastin e Kosovës, kjo është e qartë në rastin e Malit të Zi. Çështja që ngrihet është ajo se kur do të ekzistojë vullneti politik për të vendosur zgjidhjen. Krysisht çfarë roli do t'i lejojë të ketë Beogradit komuniteti ndërkombëtar, në çfarë mase do të jetë i aftë të influencojë vendimin, si dhe në çfarë mase do jetë në gjendje të mbajë unitetin delegacioni kosovar. Kjo është çështje e vullnetit politik. Ne i dimë cilat janë mundësitë.

RADIO EVROPA E LIRË
Vuk Drashkoviq këto ditë gjatë një vizite në Kinë ka deklaruar se "Kosova është Tajvani i Serbisë" dhe se ka marrë garanca nga Pekini zyrtar se Kina do t'i kundërvihet pavarësisë së Kosovës. A ka mundësi që Pekini dhe Moska me veto të bllokojnë çështjen e Kosovës?

PATRICK MOORE
Kjo është gjithmonë një mundësi, por mos të harrojmë që ata nuk e penguan iniciativën për të filluar bisedimet për statusin. Nëse do ishin vërtet nervozë, nëse Rusia do ishte vërtet e vendosur që të vinte retorikën në praktikë, nëse Kina do ishte aq e shqetësuar për krijimin e një precedenti lidhur me Tajvanin apo Tibetin, mund t'i kishin ndaluar gjërat që aty në moment, por nuk e bënë. Kështu që mendoj se ka bazë të mendohet se nuk do e luftojnë deri në fund këtë gjë. Do të argumentoja që Drashkoviq do duhej të ishte pak më i informuar dhe të fliste për Tibetin dhe jo për Tajvanin, sepse pavarësisht se Kina dhe Tajvani kanë një kulturë dhe një gjuhë, ka një lëvizje për pavarësimin e Tajvanit. Por çështja reale e ndryshimit me atë që kemi në Ballkan është ajo e Tibetit, sepse gjuha dhe kultura e Tibetit janë të ndryshme nga Kina dhe mendoj se kjo është ajo që frikëson Pekinin. Pavarësia për kosovarët do të mund të jetë një precendent për një shkëputje të mundur dhe një njohje të pavarësisë së Tibetit. Dyshimi im personal, nëse i kthehem pyetjes lidhur me rusët dhe kinezët, është që ata vërtet flasin me të madhe për Kosovën, për çështjet e Ballkanit, veçanërisht rusët, por veprimet e tyre nuk janë aq të mëdha sa fjalët. Këto shtete do ta përdorin çështjen e Kosovës në mënyrë që të përfitojnë koncesione nga fuqitë perëndimore në çështje që janë vërtet të rëndësishme për Pekinin dhe për Moskën, gjë që Ballkani nuk është.

RADIO EVROPA E LIRË
Ditëve të fundit flitet për mospajtime në rradhët e ekipit negociator të Kosovës. Mosmarrëveshje duket se ka edhe në rradhët e Grupit të Kontaktit. Si i komentoni këto zhvillime?

PATRICK MOORE
Në këtë fazë delikate do ishte mirë që njerëzit të përqëndroheshin në unitetin dhe jo në luftën mes tyre. Duke thënë këtë, ajo që mendoj se shohim në rradhët e shumë palëve të përfshira, në rradhët e shqiptarëve, në rradhët e serbëve, në rradhët e të huajve, është një nervozizëm sepse momenti i të vërtetës ka ardhur. Dhe sa më tepër bëhen gjërat serioze aq më nervozë bëhen njerëzit derisa duhet të dalin në pah me diçka konkrete. Është e ngjashme me shkuarjen në provimin përfunditar. Prandaj mendoj që do shohim pak më shumë nervozizëm në ditët që vijnë, por nuk duhet ta kemi shumë mendjen tek këto gjëra.

RADIO EVROPA E LIRË
Shumica e liderëve kosovarë kërkojnë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të kenë rolin kryesor gjatë bisedimeve për statusin e Kosovës. A ekziston gatishmëri për një gjë të tillë në Uashington?

PATRICK MOORE
Nuk e di përgjigjen e kësaj pyetjeje, por mendoj se amerikanët do të tregoheshin shumë të mençur nëse do merrnin në duar drejtimin. Edhe nëse amerikanët nuk kanë në plan të kenë një përfshirje apo drejtim afatgjatë në Ballkan, në këto momente të vështira është e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të udhëheqin, sepse gëzojnë besueshmëri si tek një partner ashtu dhe tek partneri tjetër. Këtë e pamë në Marrëveshjen e Dejtonit në 1995 dhe mendoj se do ta shohim sërish tani. SHBA-të janë të ndërgjegjshme për përgjegjësinë e tyre dhe mendoj se do të sillen sipas kësaj. Nuk jam i shqetësuar për këtë për momentin dhe nuk mendoj se do të kemi surpriza të këqija.

Intervistoi: Melazim KOCI