ZYRTARËT KONFIRMOJNË SE NUK KA SHENJA TË GRIPIT TË SHPEZËVE NË KOSOVË

Albana Isufi, Prishtinë

Nuk ka rrezik nga përhapja e gripit të shpezëve në Kosovë. Ndërkohë, analizat e zogjve të ngordhur në vise të ndryshme të Kosovës, kanë treguar se nuk ka shenja të virusit H5N1 që shkakton gripin. Këtë e pohon për Radion Evropa e Lirë, zëvendësministri i Bujqësisë, Tomë Hajdaraj.
"Nuk ka kurrfarë shkalle të shqetësimit, sidomos për prodhimet të cilat janë në Kosovë. Sa i përket importit prej datës 9 e këtej, sipas udhëzimeve në fuqi, nuk ka hyrë asnjë kg mish qoftë i freskët qoftë i përpunuar, apo dhe pula të gjalla në Kosovë. Pra ne kemi patur ndalesë të hekurt."
Megjithatë, zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë thonë se për të parandaluar shfaqjen eventuale të gripit të shpezëve, është kërkuar sigurimi i vaksinave shtesë nga 10 mijë ekzistuese kundër gripit human. Astrit Ajeti është zëvendësministër i shëndetësisë.
“Jemi në vazhdën e përpjekjeve tona për të siguruar një pjesë shtesë të vaksinave, të cilat, po e përsërit edhe njëherë janë vaksina vetëm për imunitetin e njeriut, të ashtuquajtura humane. Kështu që një sasi e nevojshme shtesë do të sigurohet dhe ajo do të shpërndahet në mënyrë të njëjtë.
Ajeti thotë se vaksinat mund të merren falas nga qytetarët nëpër qëndrat shëndetësore. Ndërkohë, Tomë Hajdaraj ka hedhur poshtë pohimet e mediave vendore se zyrtarë qeveritarë kanë filluar tashmë vaksinimin:
“Do duhej të ishte ashtu, sepse dashur pa dashur, jemi drejtpërdrejt, unë flas si institucion që e përfaqësoj, ekspertët tanë janë drejtpërdrejt të lidhur ose në dizinfektim, ose në fermë, ose në ferma shtëpiake, ose prezent me serume të ndryshme, vaksina etj etj. Por të jemi koherent e të jemi në ballë të detyrës, se nuk kemi të bëjmë këtu as me parti politike, as me përcaktim të grupeve të interesit, por thjesht jemi të detyruar të menaxhojmë situatën së pari parandaluese. Shpresoj të mos paraqitet, përndryshe këtu është në pyetje shëndeti i popullatës gjithë kosovare."
Qeveria ka krijuar 3 grupe punuese për të punuar në parandalimin e gripit të shpezëve. Sipas zëvendëministrit të bujqësisë Tomë Hajdaraj, Kosova, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia, kanë krijuar edhe grupe të tjera të nivelit rajonal, me qëllim që virusi H5N1 të mos depërtojë në këtë rajon.
“Është formuar grupi i punës në nivel të këtyre katër vendeve, me nga dy përfaqësues në nivele ekspertësh dhe takimi i rradhës do të jetë në Shkup, pas 5 ose 6 javësh."
Qeveria e Kosovës deri tani ka ndarë mbi 300 mijë euro për të parandaluar shfaqjen e gripit të shpezëve.