IBRAHIM BERISHA: GRUPI NEGOCIATOR DHE FAKTORI POLITIK PO DËSHMOJNË JOSERIOZITET

Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Duke mos qenë në koherencë me intensitetin e shtuar, me të cilin bashkësia ndërkombëtare u është qasur përgatitjeve për fillimin e bisedimeve për statusin e Kosovës, grupi negociator dhe faktori politik i Kosovës po dëshmon një joseriozitet, tha për Evropën e Lirë, analisti politik Ibrahim Berisha. Ai i ka bërë këto komente duke vlerësuar mospajtimet e fundit ndërmjet anëtarëve të Grupit Negociator të Kosovës, ndërkohë që Grupi i Kontaktit sot në Uashington diskuton pikërisht lidhur me këtë proces.
Zoti Ibrahim Berisha tha se ditëve të fundit janë vërejtur dy procese shumë interesante dhe të kundërta lidhur me përgatitjet që po bëhen për statusin nga faktori ndërkombëtar dhe ai vendor:
"Në njërën anë bashkësia ndërkombëtare ka bërë hapa domethënës në drejtim të hapjes së procesit dhe të zgjidhjes së statusit të Kosovës me rezultate shumë konkrete. Po ashtu kemi edhe disa vlera të reja në kontekst të Kosovës, si të fqinjëve, po ashtu edhe të institucioneve kryesore ndërkombëtare".
Ndërkohë, thotë zoti Berisha, brenda Kosovës po vërehet një sëmundje e kahershme, që thuajse në rastet më kritike është përsëritur, jo vetëm në Kosovë por te të gjithë shqiptarët:
"Personalitetet kryesore që janë përgjegjëse për t’i dalë zot këtij momenti, janë përfshirë nga interesa të ngushta personale apo të paqarta dhe natyrisht që konfliktet që tash dalin hapur dhe mund të kenë një gjenezë të mëhershme, dëshmojnë për vënien e interesave të ngushta dhe një lloj papërgjegjësie karshi momentit dhe interesit të përgjithshëm të Kosovës dhe të qytetarëve të saj".
Mospajtimet ndërmjet anëtarëve të Grupit Negociator të Kosovës kanë dalë në shesh pas mbledhjes së fundit që u mbajt të premten e shkuar, kur kundërshtitë rreth përbërjes së grupeve punuese u bënë publike. Shefi i zyrës amerikane në Prishtinë, Philip Goldberg, pati vlerësuar se anëtarët e grupit duhet të bashkohen rreth ideve dhe propozimeve, pasi Kosova kishte një çmim të madh dhe procesi nuk guxonte të rrezikohej.
Ibrahim Berisha tha se kjo situatë është absurde dhe indikative njëkohësisht, pasi në njërën anë nuk ka konflikte ndërmjet partive kryesore, sepse interesi i të gjithë tyre dihet se është pavarësia, por në anën tjetër ka interesa të ngushta personale që bien ndesh me interesat e përgjithshme dhe kjo vërehet brenda pothuajse të gjitha forcave politike, sipas zotit Berisha:
"Individët nuk përçojnë platformat e partive politike madje kjo lë të dyshohet se partitë politike më shumë kanë deklarata individuale, sesa platforma të qarta për proceset në të cilat po hyn Kosova dhe kjo pastaj reflektohet edhe në platformën e përgjithshme që duhet të ndërtohet nga grupi negociator. Dua të them se po shihet që disa mendojnë se mund të përfitojnë nga një situatë kaq dramatike në Kosovë për të forcuar pozitën, jo të Kosovës, por atë personale".
Ibrahim Berisha tha se është e pakuptimtë që brenda dy takimesh të Grupit Negociator të Kosovës ndodhin kaq shumë zhvillime në kuadër të mekanizmave ndërkombëtare të përfshirë në çështjen e zgjidhjes së statusit të Kosovës, duke theksuar faktin se në periudhën brenda dy takimesh të grupit negociator kosovar, bëhet emërimi i të dërguarit të Kombeve të Bashkuara për statusin dhe i zëvendësit të tij evropian, si dhe takohet Grupi i Kontaktit në nivelet me të larta.