BRUKSEL

Liderët e Bashkimit Evropian në takimin e mbrëmshëm në afërsi të Londrës kanë mbështetur kërkesën e zyrtarit të lartë, Javier Solana që të ndahen më tepër mjete për operacionet paqesore dhe të sigurisë të BE-së në botë, veçanërisht në Ballkan, përfshirë këtu edhe Kosovën. Burime brenda takimit kanë thënë se zoti Solana ka theksuar se "ka gjasë të mëdha që do të jetë e domosdoshme që BE-ja ta marrë udhëheqjen e misionit policor në Kosovë". Sipas këtyre burimeve, presidenti francez, Jacques Chirac, në kuadër të shqyrtimit të kërkesës së Javier Solanës, ka theksuar se "është e rëndësisë themelore që përpjekjet e politikës së jashtme të BE-së të përqendrohen në Kosovë" dhe që "Evropa të jetë e bashkuar" në zgjidhjen e çështjes së Kosovës.