ANKARA

Kryeministri i Turqisë Recep Tayyip Erdogan, i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të zgjedhë nëse do të bëhet fuqi globale, apo të mbetet, siç e quajti ai, "klub i krishterë".
Erdogan tha se liderët evropianë duhet të përballen me sfidën për ta bërë BE-në fuqi globale duke u dakorduar që t'i fillojnë bisedimet për anëtarësimin e vendit të tij.
Po sot, ministri i Jashtëm Abdullah Gyl ripërsëriti se Turqia nuk do të pranojë asnjë alternativë tjetër përveç anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.
Sot në Luksemburg, ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian, kanë filluar një takim të jashtëzakonshëm në përpjekje për ta bindur Austrinë që të heqë dorë nga kundërshtimet e saj për fillimin e negociatave me Turqinë.
Austria e kundërshton klauzolën, ku thuhet se qëllimi i negociatave, të cilat duhet të fillojnë të hënën, është anëtarësimi i plotë i Turqisë.
Në vend të kësaj, Austria ka propozuar "partneritet" të një shkalle më të ulët.