PRISHTINË

Kryeministri Bajram Kosumi tha se qeveria e Kosovës është duke u munduar që të gjejë ndonjë zgjidhje të mundshme për sistemin e ri të pagave për punëtorët buxhetor.
"Qeveria nuk heq dorë nga nivelizimi i pagave, por mungesa e mjeteve materiale ka bërë që të ndalohet zbatimi i këtij procesi" tha Kosumi, pas mbledhjes së sotme të qeverisë.
Komentet pasuan deklaratat e Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë sipas të cilës më 3 tetor do të fillojë greva e përgjithshme në të gjitha nivelet e arsimit. Greva do të përfshijë edhe Universitetin e Prishtinës, nëse qeveria e Kosovës nuk e zbaton sistemin e ri të pagave, deri më 30 shtator.