Raportohet se Bashkimi Evropian ka hequr dorë nga kërkesat që Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore ta paraqesë Iranin në Këshillin e Sigurimit, lidhur me programin e tij bërthamor. Agjencitë perëndimore të lajmeve informojnë se tash po qarkullon një propozim rezolutë e re, në të cilën shkruan se Teherani nuk po bashkëpunon me masat ndërkombëtare mbrojtëse të mandatuara nga Marrëveshja për Moszgjerim Bërthamor. Poashtu, në këtë dokument Irani akuzohet për "dështime dhe shkelje" në realizimin e obligimeve të veta. Vendet perëndimore kanë shprehur shqetësime se Irani fshehtas po zhvillon armatim bërthamor. Teherani këmbëngulë se programi atomik ka për qëllim prodhimin e energjisë për nevoja civile.