VJENË

Shefi i administratës ndërkombëtare në Kosovë Soren Jessen-Petersen pret që i dërguari i Kombeve të Bashkuara Kai Aide do të bëjë vlerësimin pozitiv të standardeve në Kosovë.
"Pres vlerësim pozitiv", ka thënë Petersen për gazetën austriake Standard, duke shtuar se në Kosovë, muajve të kaluar është bërë përparim.
"Megjithate, nuk janë përmbushur kërkesat themelore të Kombeve të Bashkuara. Këtë e dijnë institucionet e përkohshme, qeveria, partitë politike, deputetët në Prishtinë dhe përfaqësuesit e komunave. Të gjithë ata e dijnë se vendimi i Kai Aides nuk është marrë, por do të varet edhe nga angazhimi i tyre. Por thjesht, nuk besoj se ata nuk do ta lëshojnë një mundësi të tillë", ka thënë ai.
I pyetur për statusin e ardhshëm të Kosovës, Jessen-Petersen ka thënë se nuk dëshiron të bëjë parashikime.
Në pyetjen se kur mund të vijë deri te një takim i udhëheqësve më të lartë shqiptarë të Kosovës dhe atyre të Serbisë, Petersen është shprehur optimist se një takim i tillë mund të ndodhë së shpejti.
Gazeta Standard më tej e ka përkujtuar shefin e UNMIK-ut për kritikat e tij ndaj Beogradit të bëra në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit për Kosovën, lidhur me mungesën e progresit në lirinë e lëvizjes dhe kthimin e të zhvendosurve.
Nisur nga kjo, sqarimi i Petersenit për gazetën austriake është si vijon: "Nuk do të ketë progres në lirinë e lëvizjes dhe në kthimin e të zhvendosurve, përderisa Beogradi nuk do të bashkëpunojë plotësisht, nuk do të heqë dorë nga deklaratat, të cilat nuk kanë kurrfarë lidhje me realitetin në Kosovë, dhe përderisa Beogradi i pengon serbët e Kosovës të bashkëpunojnë me institucionet e Prishtinës".
I pyetur nëse pas përfundimit të mandatit të UNMIK-ut, Kosova do të vihej nën protektoratin e Bashkimit Evropian, Petersen ka deklaruar se do të ishte e drejtë nëqoftëse procesi do të shkonte në këtë drejtim.