FERGANA, UZBEKISTAN

Raportohet se sot nuk ka pas dhunë në qytetin Andijan të Uzbekistanit. Në këtë qytet gjatë ditëve të kaluara ka pasur përleshje ndërmjet trupave të qeverisë dhe protestuesve. Aktualisht trupat po patrullojnë në qytet. Veprimtari për të drejtat e njeriut, Saidzakon Zainabitdinov i ka thënë agjencisë Reuters se të premtet trupat kishin hapur zjarr kundër protestuesve. Për numrin e viktimave eventuale ka të dhëna kundërthënëse. Qeveria thotë se kanë vdekur 30 vetë ndërsa zoti Zainabitdinov thotë se numri mund të jetë më i lartë se 500. Një korrespondent i Radios Evropa e Lirë ka raportuar se gjatë natës nuk ka pasur incidente në qytetin Karasu, që është në kufi me Kirgizinë.